Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës është shprehur e pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës në detyrë, për ndarjen e shtesave prej 100 eurove për zjarrfikësit, për dy muaj.
Qeveria ka ndarë mjete për disa kategori që nuk ishin të përfshiera më herët në ndihmën e qeverisë. Për zjarrfikësit, nga kjo pako janë ndarë 180 mijë euro, proporcionalisht për çdo punëtor nga 100 euro në dy muaj.
Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com, ka treguar arsyet pse janë ndarë të pakënaqur.
Ai ka përmendur kërkesat e zjarrfikësve që i kanë që nga viti 2010.
“Jo, absolutisht nuk jemi të kënaqur. Ne kemi kërku benefitet që ta takojnë përmes ligjit. Kemi kërku kompensimin e ndrrimit të natës, punën jashtë orarit, nivelizimin e koeficientit të pagës. Këto janë kërkesa që kanë qenë për secilën qeveri, qysh nga viti 2010”, ka thënë Beka përmes telefonit.
Beka ka thënë se tash shpresat e zjarrfikësve janë tek qeveria e re që do të formohet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe për momentin e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së ndonjë proteste apo greve.
“Tash kjo qeveri është në largim. Në momentin që qeveria e re formohet, atëherë menjëherë do t’i kërkojmë të drejtat tona. Janë akumulu shumë probleme që shumë vjet”, ka thënë Beka.
Më 27 janar të këtij viti, në kohë fushate, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ishte takuar me zjarrfikësit, ku kishte premtuar trajtimin e kërkesave të tyre.
Hoti përveç zjarrfikësve, ishte takuar edhe me Sindikatën e Judikaturës, Shërbimit Korrektues, Punonjësve Social, të Policisë, Administratës së Pavarur, të Shërbimit Cilvil dhe të ATK-së.
“Sindikalistët paraqitën një varg kërkesash bashkë me shqetësimin e tyre se, qasja e institucioneve nuk ka qenë e barabartë për secilin sektor, duke theksuar se ata po ndjehen të anashkaluar dhe të diskriminuar. Shpreha gatishmërinë që t’i trajtojmë të gjitha kërkesat veç e veç dhe të shikojmë mundësitë buxhetore për përmbushjen e tyre”, kishte thënë Hoti.