Ministria e Ekonomisë ka njoftuar të martën, se ka vendosur ta zgjasë afatin për aplikim për Fazën 2 të subvencionimit të efiçencës së energjisë, deri më 7 nëntor.
“Zgjatja e afatit bëhet duke u bazuar në kërkesat e aplikantëve, të cilët kanë aplikuar në Fazën 1 dhe të cilët në mungesë të kapaciteteve të kompanive për liferim/montim të pajisjeve, e kanë të pamundur që të kryejnë procedurat e parapara brenda afatit të paraparë për aplikim në Fazën 2”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ministria ka ftuar të gjithë qytetarët që janë parakualifikuar në fazën e parë, që sa më parë të kryejnë këtë proces në mënyrë që të jenë përfitues të subvencionit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar më 6 tetor masat për subvencionim të pajisjeve efiçente të energjisë për qytetarët, prej të cilave pretendohet se do t’ia kursejnë shtetit mbi 12 milionë euro për dimrin që po vjen.
Ajo pati thënë se vlera e subvencionit do ta kapë shumën prej 6 milionë eurosh.