Në një bisedë për KALLXO.com, Xhemali Berisha, i cili ka të botuar edhe një libër për këto valle, ka treguar për strukturën e 11 valleve opojane, karakterin e tyre dramatik, rregullat strikte të interpretimit, ndikimin e kurbetit në përmbajtjen emocionale dhe ndryshimet që kanë pësuar ato ndër vite.
Sipas Berishës, cikli i 11 valleve të burrave të Opojës është i veçantë jo vetëm në raport me zonat e tjera koreografike të Kosovës, por edhe në një kontekst më të gjerë ballkanik. Duke iu referuar përvojës së tij në festivale dhe kontakteve me studiues e njohës të traditave të ndryshme të vallëzimit, ai thotë se është e vështirë të gjendet një cikël me strukturë të ngjashme.
“Kur i krahasojmë vallet e Opojës me ato të Hasit, Rrafshit të Dukagjinit, Podrimës, Rugovës, Podgurit, Drenicës apo Anamoravës dhe Karadakut, shohim dallime të mëdha. Secila zonë i ka veçoritë e veta, por cikli i vallave të Opojës është shumë i veçantë. Kam qenë në shumë festivale, kam parë valle të vendeve të ndryshme dhe kam pasur kontakte me njerëz që kanë njohuri për kultura të ndryshme. Është shumë vështirë të hasësh një cikël të tillë, me këtë strukturë edhe në Ballkan”- ka thënë Berisha.
Cikli nis me vallen e njohur si “Kollçoja”, e cila, sipas Berishës, ka një karakter të veçantë interpretues. Ai e lidh emërtimin me fjalët turke “kallëç”, që do të thotë shpatë, dhe “oyna” (ojna), që nënkupton lojë. Kështu, vallja e parë përcjell një motiv të lidhur me lojën e shpatës dhe karakterin luftarak.
Veçantia e saj qëndron edhe në mënyrën se si ndërtohet ritmi.
“Në fillim, ai nuk është i kristalizuar, por ka karakter të lirë dhe improvizues, i njohur në muzikë si ad libitum. Valltari i parë e udhëheq interpretimin, ndërsa tupanxhiu (daullexhiu) duhet t’ia përcjellë me kujdes lëvizjet dhe ritmin e këmbëve. Edhe valltarët e tjerë janë të detyruar ta ndjekin atë, pa gabuar në interpretim”- është shprehuar Berisha.
Berisha thekson se cikli nuk përbëhet vetëm nga 11 valle të renditura veçmas, por nga një tërësi e ndërlidhur, e cila duhet të interpretohet sipas një renditjeje të caktuar.
“Kur fillon me vallen e parë, me ‘Kollqon’, je i obliguar ta vazhdosh deri te vallja e njëmbëdhjetë. Nuk mund ta ndërpresësh ciklin në mes. I tërë cikli ka një tempo, me ndryshimet e shpejtësisë dhe ngadalësisë sipas karakterit të valleve. Interpretimi i plotë zgjat rreth 40 deri në 45 minuta”- thotë ai.
Vallëzimi në dasma
Një nga veçoritë e këtij cikli është edhe mënyra e organizimit të vallëzimit në dasmat tradicionale.
Berisha kujton se në vitet 1950-1960 vallëzimi zhvillohej në një hapësirë të caktuar, të njohur si “Tonda”. Ajo përzgjidhej nga drejtuesi (komandanti) i dasmës dhe zakonisht ishte një vend i rrafshët, i përshtatshëm për vallëzim dhe për përcjelljen e tij nga të pranishmit.
Përreth hapësirës ku vallëzohej vendoseshin qilimat, ku uleshin shikuesit. Kjo mënyrë organizimi, sipas Berishës, krijonte një pamje që të kujtonte një amfiteatër, ku valltarët ndodheshin në qendër, ndërsa publiku i përcillte përreth.
Në atë periudhë, valltarët zakonisht nuk ishin më shumë se gjashtë dhe përzgjidheshin nga drejtuesi (i zoti) i dasmës. Në disa raste vallëzonin dy grupe, njëri pas tjetrit. Grupi i dytë priste derisa i pari ta përfundonte një valle dhe më pas e vazhdonte interpretimin. Kjo, sipas tij, dëshmon për një organizim dhe disiplinë të veçantë që e shoqëronte traditën.
Për Berishën, karakteri i valleve të Opojës nuk mund të kuptohet vetëm përmes hapave dhe formacioneve koreografike. Ai vlerëson se ato bartin një dramacitet dhe emocion të fuqishëm, të lidhur me historinë dhe përjetimet e banorëve të kësaj treve.
Megjithëse është e vështirë të përcaktohet me saktësi koha e krijimit të tyre, pasi janë përcjellë brez pas brezi për shumë shekuj, Berisha e sheh të mundshme lidhjen e përmbajtjes së tyre emocionale me kurbetin, mallin për familjen dhe dashurinë për vendlindjen.
Historia e rajonit përmes valles
Ai rikujton se pas vitit 1945 Opoja përjetoi ndryshime të mëdha ekonomike e shoqërore. Blegtoria, që kishte qenë një nga shtyllat e jetës ekonomike, filloi të binte, ndërsa ndryshimet prekën edhe familjet e pasura të kësaj treve.
Në këtë kontekst, largimi në kurbet dhe kthimi në vendlindje morën një domethënie të veçantë.
“Personalisht këtë emocion e lidh me largimin në kurbet dhe me mallin për familjen, farefisin dhe vendlindjen. Kur kurbetçiu kthehej, ai e kishte mallin e madh për tokën e vet. Kur hynte në valle, ishte sikur e shkelte përsëri atë tokë. Mendoj se ky emocion shpërthente përmes vallëzimit”- shpjegon Berisha.
Ai e përshkruan karakterin e këtyre valleve si një dramacitet që ka linduar nga natyrshëm nga emocioni popullor. Sipas tij, në interpretimin e tyre ekziston edhe një lloj teatri i brendshëm, ku ndjenjat nuk shprehen përmes mimikës së fytyrës, por përmes trupit dhe lëvizjeve.
“Vallet e Opojës kanë një dramacitet shumë të fortë. Nuk ka pasur ndonjë regjisor që e ka krijuar atë. Ka lindur nga spontaniteti emocional popullor. Ajo që bën përshtypje është se valltari nuk e shpreh emocionin përmes fytyrës. Nuk ka mimikë të tepruar, por fytyra mbetet ashtu siç është në natyrë. Emocioni përcillet përmes trupit dhe mënyrës së interpretimit”- thotë ai.
Rregullat e valles
Një rol të rëndësishëm në ruajtjen e këtij karakteri ka edhe përcjellja muzikore. Berisha thekson se interpretimi tradicional kërkon dy surla dhe dy lodra, të cilat krijojnë tërësinë instrumentale që e përcjell valltarin nëpër të gjitha fazat e ciklit.
“Pa këtë përcjellje instrumentale nuk mund të flasim për vallëzimin autentik në Opojë”- thekson ai.
Përveç muzikës dhe strukturës koreografike, një tjetër element që i dallonte këto valle në të kaluarën ishin rregullat strikte të interpretimit. Berisha kujton se valltarët duhej t’i përmbaheshin një disipline të caktuar, që përcillej nga brezi në brez.
Një nga rregullat ishte që valltari të mos shikonte anash dhe as drejt publikut. Ai duhej ta mbante shikimin poshtë, te toka, dhe ta përcillte valltarin e parë. Edhe mënyra e kapjes ishte e përcaktuar sipas karakterit të secilës valle: disa interpretoheshin veç e veç, të tjera dorë për dore, gisht për gisht apo krah për krah.
“Valltarët nuk kishin të drejtë të shikonin përreth apo të kthenin kokën andej-këndej. Duhej ta shikonin vetëm tokën dhe valltarin e parë. Nëse një valltar shikonte anash, konsiderohej se nuk i dinte rregullat dhe nuk ishte valltar i mirë. Çdo formacion kishte mënyrën e vet të interpretimit”- pohon Berisha.
Këto rregulla mësoheshin përmes përcjelljes së valltarëve më të moshuar dhe më me përvojë. Të rinjtë vëzhgonin me kujdes mënyrën se si vallëzonin të vjetrit, ndërsa ndejat e gjata të mbrëmjeve, sidomos gjatë dimrit, shërbenin si një hapësirë ku mësoheshin hapat dhe rregullat e vallëzimit.

Xhemali Berisha. Foto: KALLXO.com.
Ndikimet bashkëkohore
Megjithatë, Berisha vëren se nga viti 2010 e deri më sot kanë ndodhur ndryshime të mëdha në mënyrën e interpretimit. Ai bën dallimin ndërmjet strukturës koreografike, e cila në shumë aspekte ka mbetur e njëjtë, dhe mënyrës se si valltarët e interpretojnë atë.
Sipas tij, motivet, frazat koreografike dhe struktura e lëvizjeve kanë ruajtur një vazhdimësi të dukshme, por disiplinimi dhe sjellja e valltarëve gjatë interpretimit kanë ndryshuar.
“Nuk mund të themi se evoluimi ka ndodhur vetëm pse kanë ndryshuar disa mënyra të interpretimit. Duhet të nisemi nga vallja tradicionale, ashtu siç është luajtur në vitet 1950, 1960 dhe 1970. Hapat nuk mund të ndryshohen sipas dëshirës, sepse secila valle e ka strukturën e vet”- thotë ai.
Berisha e konsideron mënyrën e interpretimit si elementin më të rëndësishëm të çdo forme vallëzimi, nga baleti klasik e vallëzimi bashkëkohor deri te vallet tradicionale.
“Nëse i ke të njëjtët hapa, por e interpreton vallen duke qeshur, duke biseduar dhe pa respektuar rregullat e saj, atëherë ajo nuk është më e njëjta valle. Unë e konsideroj një valle të lënduar, sepse i janë cenuar elementet që e bëjnë autentike”- shprehet ai.
Ai e pranon se tani kanë më shumë liri në komunikim dhe në shprehjen e tyre, krahasuar me brezat e mëparshëm. Por, sipas tij, kjo liri nuk duhet të nënkuptojë heqjen dorë nga njohja dhe respektimi i rregullave të vallëzimit tradicional.
Në fund, Berisha vlerëson se cikli i 11 valleve të burrave të Opojës duhet të marrë më shumë vëmendje institucionale, përmes hulumtimit, regjistrimit dhe mbrojtjes si trashëgimi kulturore.
Ai thekson se kjo përgjegjësi nuk kufizohet vetëm te Opoja, pasi edhe vallet e Hasit, Karadakut dhe trevave të tjera shqiptare përfaqësojnë pasuri që duhet të dokumentohen e të studiohen.
“Këto valle duhet të mblidhen, të regjistrohen dhe të studiohen. Nuk mjafton vetëm t’i interpretojmë në skena e festivale. Duhet t’i njohim historinë, strukturën dhe rregullat e tyre. Kjo pasuri duhet të vihet nën mbrojtje, në mënyrë që të ruhet për brezat e ardhshëm”- përfundon Berisha.
Koreografi i Shotës
Studimet për vallet e Opojës Berisha i përmblodhi në librin “Valle tradicionale të Opojës”, e botuar fillimisht më 1986 dhe e ribotuar në 2026 nga shkrimtari dhe botuesi Demir Reshiti, nga Shtëpia Botuese “Thesari” .
Monografia e ribotuar u promovua më 23 shtator 2026, në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” në Prishtinë.
Xhemali Berisha (1949) është koreografi i parë profesional i folklorit në Kosovë. Lindi në fshatin Buçe të Opojës. Shkollën e Mesme të Muzikës e kreu në Prizren, ndërsa studimet e larta në degën e Muzikës në Prishtinë.
Nga viti 1972 u pranua si këngëtar dhe instrumentist në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, prej nga u dërgua për studime të koreografisë folklorike në Sofje të Bullgarisë.
Pas diplomimit, në vitin 1978 u kthye në Kosovë si koreografi i parë profesional i folklorit dhe për shumë vite ishte koreograf dhe udhëheqës artistik i Ansamblit “Shota”, ku realizoi një varg koreografish të mbështetura në hulumtime të mirëfillta të folklorit shqiptar.
Një nga sukseset më të mëdha të karrierës së tij ishte koreografia “Dasma e Opojës”, me të cilën Ansambli “Shota” fitoi çmimin e dytë në Festivalin Botëror të Folklorit në Dizhon të Francës, duke i sjellë Kosovës një nga vlerësimet më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e folklorit.
Përveç koreografisë, ai është edhe muzikant e këngëtar, fitues i çmimit në festivalin “Akordet e Kosovës” (1979) me këngën “Mëma”.
Prej më shumë se dy dekadash jeton dhe vepron në Gjenevë të Zvicrës, ku themeloi Ansamblin “Gëzuar”./Kallxo.com/

Ballina e librit “Valle tradicionale të Opojës”. (ribotim)