Dy persona janë vrarë e një tjetër ka mbetur i plagosur në Pejë, mbrëmjen e së mërkurës.
Një nga të vrarit, është kandidati i PDK-së për Komunën e Pejës, Astrit Ademaj. Ndërkaq, mësohet se edhe ish-kandidati i PDK-së për Komunën e Deçanit, Blerand Kadrijaj është vrarë.
Policia ka arritur në vendin e ngjarjes, por detaje nga rasti nuk janë bërë të ditura ende. Rasti ka ndodhur në një lokal përballë Shkollës Ekonomike në Pejë.
Zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti, e ka konfirmuar për KOHËN se janë pranuar dy persona pa shenja jete.
Edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar se janë vrarë dy persona.
“Policia rreth orës 20:20 minuta është njoftuar se afër shkollës ekonomike ‘Ali Hadri’, ka të shtëna me armë zjarri. Menjëherë Policia iu ka përgjigj thirrjes. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Pejës. Nga Emergjenca janë njoftuar Policia se dy nga të lënduarit kanë ndërruar jetë. Në vend ngjarje janë prokuroria dhe Hetuesit Rajonal”, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë i Rajonit të Pejës, Fadil Gashi për KOHËN.