Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, të iniciuar nga Lista Serbe kundër zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit, Nenad Rashiq, duke e cilësuar vendimin si thellësisht inkonsistent dhe në kundërshtim me parimet bazë të sigurisë juridike. Në reagimin e saj, Vetëvendosje lë të nënkuptohet se vazhdon të mbajë të njëjtat qëndrime lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, duke vlerësuar se Kushtetuta është e qartë në këtë çështje. Në të njëjtin reagim, Vetëvendosje lë të nënkuptohet se nuk do të votojë asnjë kandidat për nënkryetar të Kuvendit që vjen nga Lista Serbe.
“Nënkryetari zgjidhet nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe me shumicën e votave të Kuvendit. Çdo kriter tjetër është krijim norme, jo interpretim kushtetues,” thuhet në reagim.
Vetëvendosje akuzon Gjykatën Kushtetuese se po krijon në praktikë një të drejtë vetoje për Listën Serbe. “Dispozitat e Propozimit të Ahtisarit flasin për përfaqësim të komuniteteve, jo për dominim të një subjekti politik. Çdo interpretim që i shërben një partie që nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e mbron rendin kushtetues, por e dëmton atë,” përfundon reagimi. Sipas Vetëvendosjes, Gjykata Kushtetuese ka ndryshuar qëndrim brenda një periudhe prej vetëm katër muajsh për të njëjtën çështje kushtetuese, pa pasur asnjë ndryshim normativ apo faktik.
“Në aktgjykimin KO265/25, Gjykata kishte konstatuar shprehimisht se ndalimi i propozimit të të njëjtit kandidat më shumë se tri herë vlente edhe për rastin e nënkryetarëve. Tani, për të njëjtën çështje, Gjykata ka marrë qëndrim diametralisht të kundërt,” thuhet në reagim.
Vetëvendosje vlerëson se ky ndryshim i papritur cenon rëndë parimin e sigurisë juridike dhe parashikueshmërinë e së drejtës. “Një gjykatë kushtetuese që ndryshon jurisprudencën për çështje identike, pa asnjë ndryshim normativ apo shoqëror, minon besimin e qytetarëve në rendin kushtetues,” thekson subjekti politik në reagimin e tij.
Sipas këtij reagimi, ndryshimi i qëndrimit nuk mund të konsiderohet zhvillim i jurisprudencës, pasi mungon evolucioni i rrethanave që do ta justifikonte atë. “Në këto kushte, kemi të bëjmë me një përdorim formal të kompetencës gjyqësore për të prodhuar një rezultat të ri normativ, çka përbën formë klasike të abus de droit,” thuhet më tej. Vetëvendosje akuzon Gjykatën Kushtetuese edhe për tejkalim të rolit të saj kushtetues, duke hyrë në sfera që, sipas tyre, nuk i takojnë. “Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat të krijojë norma të reja, të shpikë kritere përfaqësimi apo të vendosë kushte që Kushtetuta nuk i njeh,” thuhet në reagim, duke shtuar se Gjykata po bëhet autoreferenciale, duke interpretuar vendimet e veta dhe jo vetë Kushtetutën.