Presidenti i Turqisë, Receep Tayyip Erdogan, thotë se ka urdhëruar Ministrinë e Jashtme që 10 ambasadorë në shtetet perëndimore t’i shpallë persona non grata.
Kjo po bëhet pasi sipas Erdoganit, ambasadorët po përkrahin lirimin e filantropit Osman Kavala.
Kavala gjendet në burg që nga 2017-a pasi dyshohet se ka përkrahur puçin ndaj presidentit Erdogan në 2013-n dhe 2016-n. Ai i ka mohuar akuzat, raporton Reuters.
Në një deklaratë të përbashkët më 18 tetor, ambasadorët e Kanadasë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë, Finlandës, Zelandës së Re dhe Shteteve të Bashkuara bënë thirrje për një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të çështjes së Kavalës. Ata u thirrën nga Ministria e Jashtme, e cila e quajti deklaratën të papërgjegjshme.
“I dhashë urdhrin e nevojshëm ministrit tonë të jashtëm dhe thashë se çfarë duhet bërë: këta 10 ambasadorë duhet të shpallen persona non grata menjëherë. Do ta zgjidhni menjëherë,” tha Erdogan në një fjalim para një turme në Eskisehir të Turqisë veriperëndimore.