LAJME

Trump dhe Irani konfirmojnë arritjen e marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës

Trump dhe Irani konfirmojnë arritjen e marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Qershor 2026, 06:33

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se është arritur një marrëveshje kornizë për t’i ndalur luftimet në Lindjen e Mesme, për ta rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për t’i dhënë fund bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.

“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tani është e kompletuar”, shkroi Trump në Truth Social duke njoftuar marrëveshjen të dielën vonë, e cila do ta hapë një periudhë 60-ditore për të mundësuar bisedime për një marrëveshje më të hollësishme për paqe midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif – vendi i të cilit ka vepruar si ndërmjetës mes Uashingtonit dhe Teheranit – konfirmoi se është arritur marrëveshja për paqe dhe se ceremonia e nënshkrimit është planifikuar të mbahet më 19 qershor në Zvicër.

Edhe Irani e konfirmoi arritjen e marrëveshjes.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, tha të hënën se “është shpallur përfundimi i përhershëm dhe i menjëhershëm i luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.

Ai shtoi se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet më 19 qershor pas nënshkrimit zyrtar të marrëveshjes.

 

Nëse marrëveshja përfundimtare nënshkruhet vërtet, ajo do të përbënte hapin më të madh drejt përfundimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili shpërtheu më 28 shkurt kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ajrore kundër Iranit.

“Kjo marrëveshje e madhe do të sjellë paqe dhe siguri në gjithë rajonin”, shkroi Trump.

“Me hapjen e Ngushticës pas nënshkrimit të marrëveshjes të premten [19 qershor], për qëllime të pastrimit të minave, nafta do të rrjedhë sërish në të dy drejtimet për rajonin dhe botën”, shtoi ai.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, Mehr, publikoi ato që tha janë hollësitë e memorandumit të mirëkuptimit me 14 pika, duke thënë se ai parashikon 60 ditë bisedime lidhur me çështjet bërthamore dhe heqjen e plotë të sanksioneve ndaj Teheranit.

Trump ka theksuar se thelbi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe do të jetë garantimi se Irani nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore dhe se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për qarkullimin e lirë të anijeve.

Më herët, Reuters citoi një zyrtar të lartë iranian të ketë thënë se, sipas draftit të marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do të pajtohen të lirojnë asete të ngrira iraniane në vlerë të 25 miliardë dollarëve, ndërsa Teherani do të angazhohet të mos prodhojë ose sigurojë armë bërthamore.

Zyrtari tha se Irani është pajtuar ta ruajë status quo-në bërthamore, përfshirë mospasurimin e uraniumit dhe moszgjerimin e synimeve bërthamore, derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Agjencia e lajmeve Fars – e cila është e afërt me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike – tha se “është vendosur që trafiku detar nëpër Gjirin Persik të rregullohet nga Irani në bashkërendim me Omanin”. Kjo bien ndesh me deklaratat e mëparshme të Trumpit.

Komanda ushtarake iraniane e shpalli marrëveshjen e paqes si fitore për vendin.

Trump kishte deklaruar më herët për gazetën Wall Street Journal se marrëveshja do të nënshkruhej ose elektronikisht nga ai vetë ose nga nënpresidenti JD Vance.

Më vonë, Vance tha se planifikon të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes në Gjenevë dhe se është “e mundur” që edhe Trumpi të jetë i pranishëm.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika