Nga data 13 mars 2025, TikTok nuk do të funksionojë në Shqipëri. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka kërkuar zyrtarisht mbylljen e aksesit në TikTok në Shqipëri.
Nëpërmjet një e-mail të dërguar të gjitha subjekteve ISP (ofruesve të shërbimeve të internetit), AKEP ka kërkuar që ato të bllokojnë aksesin në TikTok deri më 13 mars.
Shërbimi është parashikuar të zgjasë 12 muaj, ose deri në momentin që kompania TikTok merr masa për rritjen e sigurisë dhe vendosjen e filtrave në këtë platform të rrjeteve sociale.
Në shkresë shkruhet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme: Bllokimi i IP-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë; Bllokimi i DNS-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë; Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok në territorin e Shqipërisë; Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.
Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.
Vendimi i qeverisë
Në vendimin e qeverisë kërkohet ndërprerja e aksesit në platformën on-line “TikTok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj, me qëllim shmangien e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
“Ndërprerja e platformës on-line “TikTok” zgjat deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta. Caktimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore sektoriale e nëpërmjet tyre, si dhe autoritetet e tjera, që përfshihen në këtë proces, për të komunikuar e negociuar me përfaqësuesit e platformës on-line “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera on-line, për të adresuar problematikat në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital, duke përfshirë: a) operimin efektiv të sistemeve funksionale të verifikimit të moshës së përdoruesve të platformës; b) operimit të sistemeve të kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve; c) shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhe urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm; ç) përshtatjen e përdorimin e filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare.”, thuhet në vendim.
Vendimi kërkon që Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, të marrë masat e nevojshme për realizimin e ndërprerjes së aksesit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.
Pasi të realizohet nga platforma on-line “TikTok” vendosja e filtrave të nevojshëm, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi.
“Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK. Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së.
Gjithashtu, secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqesë konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025.”, thuhet në shkresën dërguar të gjitha subjekteve ISP.