Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 08.04.2021, ndaj të pandehurit R.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit nga neni 422 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit R.S., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
– Me datë 9 mars, në orët e mbrëmjes në pikën kufitare në Vërmicë, i pandehuri R.S., me t’u afruar te sporteli i kontrollit policor, pasi ia dorëzon dokumentet zyrtarit policor, në lejen e qarkullimit të automjetit e kishte future një kartëmonedhë prej 20 € (njëzet eurosh) dhe i pandehuri i drejtohet zyrtarit policor me fjalët ‘’këto të holla i kam lënë për ju, për qejf, për të pirë një kafe dhe për të më mundësuar ta kalojë kufirin meqë ndërrimi paraprak policor më ka refuzuar hyrjen’’, me ç’ rast i pandehuri R.S., ndalohet nga policia ku edhe i është sekuestruar përkohësisht kartëmonedha në shumën prej 20 € (njëzet eurosh).





