Shefi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, ndodhet para komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, e ka pyetur atë se kush e ka bërë propozimin për ndarjen e 110 milionë eurove nga ana e Qeverisë për subvencionimin e energjisë elektrike, transmeton Klan Kosova.
Tahiri po ashtu e ka pyetur se cili ka qenë importi dhe eksporti i energjisë gjatë muajit mars, ndërsa Fejzullahu është përgjigjur vetëm për vlerën financiare, por jo edhe atë të megavatëve.
“Gjatë muajit mars kemi pasur 13 milionë euro import, 8.7 milionë euro eksport. Por të dhënat për megavat nuk i di” ,ka thënë Fejzullahu.
Tahiri ka thënë se pikërisht këtu është problemi. “Ngritja e çmimit të energjisë elektrike ka qenë e paarsyeshme. Ne dyshojmë që pikërisht nuk ka pasur arsye të ngritet çmimi i energjisë elektrike për shkak se konsumi është mbuluar nga prodhimi vendor. Çmimi i prodhimit vendor nuk ka lëvizë, ndërsa ne jo vetëm që paguajmë me tarifa të shtrenjta energjinë por ndajmë edhe subvencion”, ka thënë Tahiri.
Më tej, ai i ka kërkuar të dhëna të detajuara shefit të ZRrE-së, në lidhje me importin gjatë muajve janar, shkurt, mars, prill, koha kur Kosova i ka ndarë 110 milionë euro subvencionim.
“Sa kemi importuar megavat dhe a ka qenë e arsyeshme ngritja e çmimit të energjisë elektrike? Na i sillni në megavat për muajt e parë të vitit, deri ta ndarja e subvencioneve”.
“Kush ka qenë propozuesi për të ndarë qeveria 110 milionë euro? Më e rëndësishmja është sponsorizimi i këtij vendimi. Ai e bartë përgjegjësinë kryesore. Kush e ka sponsorizuar këtë kërkesë të tillë i cili pastaj është shndërruar në veprim”, ka thënë Tahiri.