Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka themeluar grupin punues për hartimin e Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të personelit policor.
Sipas vendimit zyrtar të siguruar nga KosovaPress, grupi do të udhëhiqet nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala, ndërsa zëvendësudhëheqës është caktuar Qëndrim Bytyqi nga Departamenti Ligjor i MPB-së.
“Themelohet grupi punues për hartimin e Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të personelit Policor në Policinë e Kosovës”, përcaktohet në pikën e parë të vendimit.
Grupi përbëhet nga 14 anëtarë, me përfaqësues nga MPB-ja, Policia e Kosovës, Zyra e Kryeministrit, ministritë përgjegjëse për financat dhe punët e veteranëve e luftës çlirimtare, si dhe Sindikata e Policisë së Kosovës. Sipas nevojës, në takime mund të ftohen edhe përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të tjerë.
Përveç hartimit të draftit fillestar, udhëheqësi obligohet të administrojë konsultimet paraprake dhe publike, si dhe të përgatisë dokumentacionin e kërkuar sipas Rregullores së Punës së Qeverisë.
Vendimi, i nënshkruar nga Sveçla, hyn në fuqi ditën e nënshkrimit. Dokumenti përcakton nisjen e hartimit të projektligjit, por nuk përmban moshën, kushtet apo përfitimet e pensionimit të parakohshëm dhe as afat për përfundimin e draftit.





