Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar të premten se kanë arritur që t’i identifikojnë shumicën e organizatorëve të protestave në veri të vendit, siç i ka quajtur ai kriminelë.
Gjatë një interviste dhënë për televizionin publik, Sveçla ka thënë se identifikimi i tyre është bërë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Policia e shërbimet e vendeve aleate, ndërsa ka paralajmëruar edhe arrestimin e tyre.“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me AKI-në, si dhe me shërbimet e vendeve aleate, ka arritur që shumicën nga këta kriminelë t’i identifikojë.
Mos të harrojmë se një gjendje kriminale ka mbizotëruar për 20 vjet dhe ka shumë eksponentë kriminalë, të cilët nuk e kanë për herë të parë të sulmojnë qoftë policinë, qoftë qytetarët e thjeshtë, apo mediat, e kësaj radhe edhe pjesëtarët e Misionit të KFOR-it”.“Ne këtë kontingjent e kemi riverifikuar, të jemi më korrekt, Policia e Kosovës dhe AKI e kanë riverifikuar, dhe jemi në rrugë të mirë që shumicën prej këtyre dhunuesve t’i identifikojmë, t’i lokalizojmë dhe pastaj Policia e Kosovës t’i arrestojë”, ka deklaruar ministri.





