LAJME

“Struktura e mendimit” – një libër që e vendos arkitekturën përballë mendimit, përvojës dhe përgjegjësisë profesionale

“Struktura e mendimit” – një libër që e vendos arkitekturën përballë mendimit, përvojës dhe përgjegjësisë profesionale
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Gusht 2026, 09:35

Libri “Struktura e mendimit – Reflektime mbi arkitekturën dhe ndërtimin” i autorit Bardhyl Halitjaha u prezantua gjatë tri ditëve në Prishtinë, Suharekë dhe Prizren, duke sjellë në një hapësirë të përbashkët profesionistë të arkitekturës dhe ndërtimit, përfaqësues të botës akademike, lexues, kolegë, miq dhe dashamirës të librit.

Tri promovimet nuk ishin vetëm prezantime të një botimi të ri. Ato u shndërruan në tri momente reflektimi mbi profesionin, mënyrën e projektimit dhe ndërtimit, përvojën e fituar në praktikë dhe, mbi të gjitha, mbi përgjegjësinë që bart profesionisti ndaj veprës që krijon dhe hapësirës që ndërton.

Rrugëtimi nisi në Prishtinë më 10 gusht, vazhdoi në Suharekë më 11 gusht dhe përfundoi në Prizren më 12 gusht, duke krijuar një vijimësi mes mendimit profesional, kujtesës dhe kulturës së leximit.

Më 12 gusht, promovimi vazhdoi në Bibliotekën Ndërkomunale të Prizrenit.

Në një atmosferë të ngrohtë, vepra u prezantua para lexuesve, profesionistëve të arkitekturës dhe ndërtimtarisë, përfaqësuesve të botës universitare, miqve dhe dashamirësve të librit. Sipas autorit, Prizreni ishte një tjetër ndalesë e rëndësishme për veprën, duke e afruar atë me një tjetër komunitet lexuesish dhe profesionistësh.

Edhe në Prizren, temat kryesore të veprës u vendosën në qendër të diskutimit: arkitektura, ndërtimi, përvoja profesionale, etika dhe përgjegjësia e profesionistit ndaj hapësirës dhe shoqërisë.

Autori thekson se Prishtina, Suhareka dhe Prizreni nuk ishin vetëm tri adresa të promovimit të librit. Sipas tij, ato u shndërruan në tri ndalesa që i dhanë veprës dimensione të ndryshme.

“Në Prishtinë, libri u analizua nga këndvështrimi profesional, etik dhe filozofik. Në Suharekë, ai u lidh me kujtesën, figurën e profesorit Hajdin Berisha dhe rrënjët njerëzore e profesionale të autorit. Në Prizren, vepra u afrua me lexuesit dhe institucionin kulturor, duke zgjeruar hapësirën e saj të komunikimit. Në të tria rastet, megjithatë, mbeti i njëjti thelb: arkitektura dhe ndërtimi nuk janë vetëm çështje teknike. Ato janë çështje të mendimit, përgjegjësisë, etikës dhe marrëdhënies që njeriu krijon me hapësirën që ndërton.” – theksoi ai.

Sipas tij, kjo është edhe një nga pikat më të forta të “Struktura e mendimit – Reflektime mbi arkitekturën dhe ndërtimin”: përpjekja për ta nxjerrë profesionin nga kufijtë e vizatimit teknik dhe procesit ndërtimor, duke e vendosur përballë pyetjes më të rëndësishme – çfarë lloj hapësire po ndërtojmë dhe çfarë përgjegjësie kemi për të?

Përmes përvojës së autorit, vlerësimeve të profesionistëve dhe diskutimeve të zhvilluara gjatë promovimeve, libri po krijon hapësirën e vet në një fushë ku literatura reflektuese mbi praktikën profesionale nuk është e pasur.

Halitjaha thekson se rugëtimi i librit nga Prishtina në Suharekë e më pas në Prizren tregon se “Struktura e mendimit” nuk kërkon vetëm lexues. Sipas tij, ai kërkon bashkëbisedues – profesionistë që mendojnë për punën e tyre, studentë që përgatiten për profesionin, por edhe çdo lexues që dëshiron të kuptojë se pas çdo ndërtese qëndrojnë jo vetëm struktura dhe materiale, por edhe mendime, vendime, parime dhe përgjegjësi njerëzore.

“Dhe pikërisht aty qëndron forca e këtij libri: të ndërtosh nuk mjafton; duhet të mendosh se çfarë po ndërton, pse po e ndërton dhe çfarë gjurme do të lërë ajo që ndërton.” – përfundon autori.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika