Sukseset në sport dhe në kulturë kanë dominuar ngjarjet pozitive të Kosovës gjatë vitit 2021. Xhudo u bë sërish lajmi kryesor i vitit. Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan medalja të arta në Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020”. Por, sukses pati edhe filmi kosovar.
Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, fitoi shumë çmime dhe është në garë të ngushtë për të fituar çmim Oscar.
Një nga sukseset kryesore në politikë ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Izraelit.
Në aspektin diplomatik Kosova nuk arriti ndonjë sukses të madh gjatë vitit 2021. Kjo edhe për shkak edhe të marrëveshjes së Uashingtonit, ku në muajin shtator të vitit 2020, delegacioni i Kosovës i prirë nga ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe delegacioni serb i prirë nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u pajtuan për një moratorium njëvjeçar që obligonte Kosovën të ndalonte përpjekjet për të siguruar njohje të reja si dhe të pezullonte përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërkohë që Serbia obligohej të ndalonte fushatën për t’i bindur shtetet e ndryshme të botës që të tërheqin njohjen e shtetit të Kosovës.
Por me 1 shkurt 2021, Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”. Nënshkrimi i marrëdhënieve diplomatike u bë gjatë një ceremonie virtuale ku të dyja vendet o zotuan të rrisin bashkëpunimin.