Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi sot një telefonatë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, z. Anže Logar, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij, si për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, ashtu edhe për të gjitha proceset integruese, përfshirë mbështetjen për liberalizimin e vizave.
Ministrja Haradinaj-Stublla dhe homologu i saj Logar, ndanë pikëpamjet e tyre mbi situatën politike në rajon dhe shtetet përkatëse, duke shprehur nevojën për një bashkëpunim edhe më të madh mes vendeve të rajonit, në të mirë të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kontekst, shefja e diplomacisë kosovare shprehu nevojën e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë, e cila pashmangshëm parasheh njohjen reciproke mes dy vendeve dhe që ka për bazë tri parimet e panegociueshme se – nuk preket integriteti territorial – rendi kushtetues dhe karakteri unitar i shtetit të Kosovës.
Ministrja Haradinaj-Stublla, duke folur për raportet e shkëlqyera mes dy shteteve, të cilat kanë një bashkëpunim të fortë ekonomik mes veti, tha se Sllovenia është një vend model për rajonin në rrafshin e integrimit, dhe se kontributi dhe mbështetja e saj për Kosovën, si një vend që e njeh mirë rajonin, është kyç për përparimin.
Homologu slloven Logar u shpreh se Sllovenia është e përkushtuar në mbështetjen e plotë të mëtejshme për Kosovën si në procesin e integrimit ashtu edhe në atë të dialogut me Serbinë. Ministrat u dakorduan për një takim në të ardhmen me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve, edhe në prag të presidencës së BE nga Sllovenia, në gjysmën e dytë të vitit 2021.