Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, Valon Vataj, ka reaguar ndaj kërkesës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për ndërprerjen e punës në sektorin e ndërtimit nga ora 11:00 deri në 17:00 për shkak të temperaturave të larta.
Në një prononcim për IndeksOnline, Vataj theksoi se shëndeti dhe siguria e punëtorëve mbeten prioritet absolut, por ndalja e plotë e punës gjatë kësaj periudhe nuk është zgjidhja më e përshtatshme për të gjitha projektet ndërtimore.
“Shoqata e Ndërtimit në Kosovë e konsideron shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve si prioritet absolut. Megjithatë, vlerësojmë se ndërprerja e plotë e punës nga ora 11:00 deri në 17:00 nuk është zgjidhja e vetme dhe as më e përshtatshmja për çdo projekt ndërtimor. Praktikat ndërkombëtare në vendet me temperatura të larta tregojnë se puna zakonisht përshtatet përmes ndryshimit të orarit, organizimit të turneve, shtimit të pushimeve dhe masave mbrojtëse në kantier”, deklaroi Vataj.
Ai bëri të ditur se Shoqata e Ndërtimit ka rekomanduar një sërë masash për mbrojtjen e punëtorëve gjatë valëve të të nxehtit, duke përfshirë fillimin e punës nga ora 06:00, sigurimin e ujit të pijshëm dhe hapësirave me hije, pushime më të shpeshta si dhe shmangien e punëve më të rënda fizike gjatë orëve me temperatura ekstreme.
Lidhur me mundësinë e nxjerrjes së një vendimi obligativ nga institucionet, Vataj tha se institucionet duhet të japin udhëzime të qarta dhe të monitorojnë zbatimin e masave mbrojtëse, por kompanive duhet t’u lihet hapësirë për përshtatje sipas kushteve në terren.
“Një qasje fleksibile dhe profesionale është më efektive sesa një zgjidhje e njëjtë për të gjitha projektet, pasi jo çdo aktivitet ndërtimor zhvillohet në të njëjtat kushte”, u shpreh ai për IndeksOnline.
Sipas tij, temperaturat e larta tashmë po ndikojnë në produktivitetin e punëtorëve dhe në organizimin e punës në kantier, ndërsa çdo kufizim i orarit mund të reflektohet edhe në afatet e realizimit të projekteve.
“Temperaturat e larta ndikojnë drejtpërdrejt në produktivitetin e punëtorëve dhe në organizimin e punës në kantier. Çdo kufizim i orarit të punës mund të ndikojë në afatet e realizimit të projekteve, veçanërisht në projektet infrastrukturore dhe ato me afate të përcaktuara kontraktuale. Për këtë arsye, sektori favorizon përshtatjen e orareve të punës dhe organizimin e turneve, në vend të ndërprerjes së plotë të aktiviteteve”, tha Vataj.
Ai shtoi se në rast se Qeveria vendos kufizime të detyrueshme të orarit të punës, duhet të merren parasysh edhe pasojat që ato mund të kenë në realizimin e projekteve publike dhe private.
“Nëse do të ketë kufizime të detyrueshme të orarit të punës, është e rëndësishme që të merren parasysh edhe efektet që ato mund të kenë në afatet kontraktuale dhe realizimin e projekteve publike dhe private. Shëndeti dhe siguria e punëtorëve janë prioriteti ynë, por njëkohësisht duhet të sigurojmë që sektori i ndërtimit të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit, punësim dhe realizimin e investimeve publike e private”, përfundoi ai./IndeksOnline