Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, ka vlerësuar si të rëndësishme dhe profesionale punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe të Policisë së Kosovës në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në një postim në rrjetin “X”, ambasadori McGurk tha se këto institucione punuan në mënyrë profesionale, efikase dhe të sigurt.
“Ndërsa procesi i numërimit është ende në vazhdim, puna e tyre mbetet thelbësore për qëndrueshmërinë demokratike të Kosovës dhe besimin e publikut”- ka shkruar ai.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave të kandidatëve për deputetë si dhe verifikimin e votave për partitë politike në gjashtë Qendra Komunale të Numërimit.
KQZ më 30.12.2025 ka procesuar 100 për qind të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, vota të numëruara në vendvotime.
Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, fituese e zgjedhjeve të së dielës është Lëvizja Vetëvendosje me 433 mijë e 394 vota.
Partia Demokratike e Kosovës radhitet e dyta me 184 mijë e 318 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës nga ana tjetër ka siguruar 119 mijë e 201 vota.
Teksa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marr gjithsej 49 mijë e 698 vota.
Pjesëmarrja në zgjedhje sipas KQZ ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues në Listën Votuese.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 77,086.
