Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka dhënë dimension krejt tjetër vizitës së kryeministres së vendit të tij, Ana Bërnabiq, në komunat veriore të Kosovës.
Ai tha se kjo nuk është thjeshtë vizitë, por prezencë e Serbisë në Kosovë.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne, do të vazhdojmë të luftojmë edhe në periudhën e ardhshme. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për vizitën e kryeministres së Serbisë, por edhe për prezencën e Serbisë në veri të Kosovës. Pikërisht kjo prezencë që popullit i duhet më shumë se buka dhe uji”, tha Petkoviq, përcjellin mediat lokale serbe.
Njëjtë edhe Bërnabiq shfrytëzoi vizitën për të provokuar dhe madje kërcënuar.Një ditë më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shpreson që Bërnabiq nuk do ta shfrytëzojë lejën për vizitë për të dhënë deklarata përçarëse dhe se mund ta shohë demokracinë.
E Bërnabiq, në mënyrë ironike, nga Mitrovica u kundërpërgjigj se “do të dëshironte të shihte demokracinë në Kosovë”, gjë që sipas saj, ajo mungon.
Kjo është vizita e parë e Bërnabiqit në Kosovë që nga zgjedhja e saj kryeministre e Serbisë më 2017.