Bashkimi Evropian do të mbajë samitin e tij, të enjten dhe të premten e kësaj jave.
Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të jetë edhe zyrtarisht pjesë e agjendës.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë se Kosova duhet të presë për mbledhin e ardhshme të samitit, e planifikuar më 20-21 Tetor, 2022.
“BE-ja duhet ta rikthejë seriozitetin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor e veçanërisht Kosovës, në mënyrë që të mbahet konsistenca politike për të ardhmen e Europës. Ndërkaq, përsa i takon vendim-marrjes lidhur me heqjen e regjimit të vizave, duhet me patjetër që të ndërrojë qëndrim politik Franca, Belgjika e Holanda që të mundësojnë lëvizjen e qarkullimit të qytetarëve tanë drejt zonës Schengen”, theksoi Pula për “Front Online”.
Për data e muaj rreth heqjes së vizave nuk flet as analisti tjetër, Arbnor Sadiku.
Veçse ky thotë se Evropa më në fund ka nisë të ndërmarrë diçka në këtë drejtim.
“Për shkak të situatës të krijuar në Ukrainë, Gjermania me partnerë po ndihmojnë shumë Kosovën, kurse, vendet të cilat ishin skeptike si Franca dhe Holanda, tashmë pas kryrjes së zgjedhjeve atje do të duhej të ishin pro Kosovës nē aspektin e liberalizimit të vizave”, u shpreh Sadiku për “Front Online”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka vizituar për herë të parë Kosovën, të mërkurën që shkoi.
Ai theksoi se i mbetet vendeve anëtare veç e veç të vendosin për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët.
Ka katër vjet që vazhdimisht Parlamenti dhe Komisioni Evropian konstatojnë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Këtë se ka marrë fare parasysh Këshilli i Bashkimit Evropian, që e ka fjalën e fundit për këtë proces. Aty ka munguar vendimarrja.
Ndryshe, në Samitin e BE-së në Bruksel, në rend dite është shqyrtimi i aplikacionit të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë për anëtarësim në BE.