Ish-emisari i ShBA-ve për dialogun Kosovë – Serbi në kohën e presidentit Donald Trump, Richard Grenell ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar dje në veri të Kosovës.
Grenell ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka prishur lidhjen e fortë në mes të SHBA-së dhe Kosovës, teksa shtoi se kreu i ekzekutivit është lideri i parë i Kosovës që dënohet edhe nga demokratët edhe nga republikanët.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin ata që ne besojmë se po bëjnë përparim në vlerat perëndimore.
Ju e keni prishur lidhjen e fortë SHBA-Kosovë. Ju jeni lideri i parë i Kosovës që dënoheni edhe nga demokratët edhe nga republikanët. Heshtja e Vjosa Osmanit është shqetësuese. Hashim Thaçi ne kemi nevojë për ju tani” – ka shkruar Grenell.
Të premten, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken reaguar në lidhje me zhvillimet në veri duke dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës që sipas tij, “po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.
Blinken i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë këto masa dhe të përqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin.
I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”- thuhet në reagimin e Blinken.