Zv.kryeministrja në detyrë e Republikës së Kosovës, Emilia Rexhepi, ka reaguar pas situatës së krijuar ditë më parë gjatë procesit të shpërndarjes së librave në komunën e Mamushës, duke njoftuar për ndalimin e përkohshëm të këtij procesi në një nga shkollat fillore të Prizrenit.
Sipas znj. Rexhepi, shpërndarja e librave të planifikuar për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën në shkollën fillore “Motra Qiriazi” është ndalur për shkak të turmës së madhe, mungesës së organizimit, si dhe për tentimet për politizim nga individë të caktuar, që sipas saj, po përpiqen të përfitojnë pikë politike nga një proces arsimor.
“Të dashur prindër, për shkak të turmës së madhe dhe mungesës së organizimit gjatë shpërndarjes së djeshme të librave në Mamushë, si dhe për shkak të politizimit të individëve të caktuar që përmes kësaj duan të marrin pikë të vogla politike, u vendos që të ndalohet shpërndarja e planifikuar e teksteve mësimore për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën në shkollën ‘Motra Qiriazi’ në Prizren,” ka deklaruar zv.kryeministrja Rexhepi përmes një reagimi publik.
Ajo ka bërë të ditur se shpërndarja e librave do të vazhdojë ditëve në vijim, por këtë herë përmes mësuesve dhe drejtpërdrejt në shkollat përkatëse, në mënyrë të rregullt dhe të sigurt.
Zv.kryeministrja ka falënderuar prindërit për mirëkuptimin dhe durimin, duke theksuar se procesi do të vijojë në përputhje me standardet e nevojshme për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor.