LAJME

Reagimi i shpejtë i stafit të shkollës “Emin Duraku” në Prizren shpëton jetën e një nxënësi

Reagimi i shpejtë i stafit të shkollës “Emin Duraku” në Prizren shpëton jetën e një nxënësi
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Tetor 2026, 15:38

Falë reagimit të shpejtë dhe ndërhyrjes së stafit të shkollës fillore “Emin Duraku” në Prizren, është shpëtuar jeta e një nxënësi të klasës së gjashtë, i cili kishte mbetur në një situatë të rrezikshme pasi një pjesë e lapsit kimik i kishte ngecur në fyt.

Sipas njoftimit të shkollës, ngjarja ka ndodhur sot, ndërsa nxënësi me inicialet A. C. kishte vështirësi në frymëmarrje, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.

Në këtë situatë, koordinatorja Fëllanza Kirajtani, asistentja Rrezarta Bytyqi, zëvendësdrejtori Akif Gashi dhe mësimdhënësi Ismail Morina kanë reaguar menjëherë, duke bashkërenduar veprimet për t’i liruar rrugët e frymëmarrjes nxënësit.

Drejtuesit e shkollës kanë vlerësuar lart reagimin e stafit, duke theksuar se qetësia, gatishmëria dhe bashkëpunimi në situata emergjente mund të jenë vendimtare për shpëtimin e jetës.

“Reagimi i sotëm i personelit të shkollës ishte vërtet një akt madhor dhe heroik, duke shpëtuar jetën e nxënësit tonë”, thuhet në njoftimin e shkollës.

Përmes këtij reagimi, koordinatorja Fëllanza Kirajtani dhe drejtori Rrahim Bektashi kanë shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëtarët e stafit që ndërhynë në këtë situatë, duke vlerësuar përgjegjësinë dhe gatishmërinë e tyre.

Nga shkolla kanë theksuar se ky rast dëshmon rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe solidaritetit në situata emergjente, duke kujtuar se institucionet arsimore, përveç edukimit, kanë edhe përgjegjësi për sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika