Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas idesë së përsëritur të Serbisë që t’i ndërrohet rrjedha Ibrit.
Pas dy vitesh, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se madje ka ftuar ekspertë për këtë çështje. Një gjë e tillë nxiti reagime përveç në Kosovë edhe në Shqipëri. Fillimisht këtij pretendimi i reagoi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, mirëpo atij iu kundërpërgjigj homologu i tij serb, Marko Gjuriq, duke e akuzuar për qëndrim të njëanshëm dhe duke kundërshtuar përfshirjen e konceptit të “Shqipërisë së Madhe” në diskutimet për Kosovën.
Rama përmes një postimi të gjatë në “X” dhe veçanërisht pas akuzave të Gjuriqit, ka deklaruar se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se nuk i nevojitet një projekt i tillë për ta mbështetur Kosovën.
Sipas tij, lumi Ibër “do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo folklorit.” Sipas Ramës, pikërisht për situata të tilla ekziston e drejta ndërkombëtare për ujërat.
“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e humbi ndoshta mund ta kthejë humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak tolerante. Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë”, ka theksuar Rama.
“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe as nevojë të shpikë një të tillë. As nuk kemi nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar me Kosovën. Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne gjithmonë do të qëndrojmë me këtë të drejtë”, ka shtuar Rama.
Ai ka shtuar se përfaqësuesit e Serbisë e dinë këtë realitet, përfshirë edhe kur palët ulen së bashku në tryezat evropiane.
Rama ka folur edhe për komunitetin serb në Kosovë, duke thënë se të drejtat, siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia e tij kulturore e fetare duhet të mbrohen.
Megjithatë, ai ka kritikuar Beogradin që, sipas tij, paralajmëron Shqipërinë për “ekspansionizëm etnik”, ndërkohë që territorit të një shteti tjetër sovran vazhdon t’i referohet sikur të ishte pjesë e Serbisë.
Ai ka ritheksuar se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës dhe Republikës së saj, jo vetëm për shkak të historisë, gjuhës dhe lidhjeve familjare, por edhe sepse, siç është shprehur, “një Kosovë e lirë, demokratike dhe e sigurt është një shtet legjitim evropian dhe pjesë e domosdoshme e stabilitetit të rajonit”.
Rama ka shtuar se Tirana e respekton Serbinë, synon marrëdhënie të mira fqinjësore me të dhe dëshiron që i gjithë rajoni, përfshirë Serbinë, të jetë pjesë e Evropës.
“Por fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë t’i kërkosh çdo fqinji të Serbisë të zhvendoset përgjithmonë brenda versionit serb të historisë. Ballkani tashmë ka paguar tepër shumë, me gjak dhe kohë të humbur, për një përshtatje të tillë”, ka deklaruar Rama.
Nuk është hera e parë që Vuçiqi e kërcënon Kosovën me ndryshimin e rrjedhës së Ibrit. Kësaj radhe ai deklaroi se ka ftuar edhe ekspertë për këtë çështje.
Një gjë të tillë, Vuçiqi e kishte përmendur para dy vjetësh teksa po e mohonte përfshirjen e Serbisë në shpërthimin që e dëmtoi kanalin e ujit Ibër-Lepenc, në Varagë të Zubin-Potokut.
Sipas Vuçiqit që nga viti 1985 “ekziston një ide për të ndryshuar rrjedhën” e lumit Ibër për nevojat e popullatës në qytezat afër liqenit, që si pasojë do ta thante Ujmanin, nga i cili furnizohet Kosova. Sipas tij, kjo mund të ndodhë me një vendim të Qeverisë serbe.