Qindra qytetarë u mblodhën më 06.02.2026 për të protestuar kundër kërkesës për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Kjo protestë nisi të mbahej pranë ndërtesës së Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), vazhdoi te Zyrat e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) e përfundoi te objekti i Qeverisë së Kosovës.
Në këtë protestë qindra qytetarë thirrnin “Hajna”, “Asnjë cent më shumë”, “KEDS t’i kthehet popullit”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre.
Poashtu gjatë protestës pati edhe hedhje të tymit si dhe një protestues u shoqërua në Policinë e Kosovës.
Sipas përfaqësuesve të organizatave dhe protestuesve shtrenjtimi i energjisë elektrike është kërcënim për qytetarët e bizneset dhe që sipas tyre, asnjëra palë më nuk mund ta përballojë një gjë të tillë.
Protestuesja, Sevdije Sadiku tha që nuk po e dinë se si do t’ia dalin me pagimin e faturave të energjisë, e sipas saj populli do të mbetet në ‘terr’.
“[Lokalet] me shtrenjtimin e rrymës, nuk kanë punë, kanë me u mbyllë, janë të detyruar, kanë qira, kanë rrymë, kanë ujë, kanë mbeturinat me i pagu. Edhe ato pak biznese që janë të vogla, kanë me u mbyllë. Edhe gjithë këto fatura tash ne nuk di si do t’ia dalim, me siguri populli i Kosovës ka me mbet në terr.” – u shpreh Sadiku.
Ndërsa, aktivisti, Erblin Ajdini tha se “KEDS-i po e zgjat dorën në xhepat e qytetarëve aq sa po ia do qejfi”.
“E kemi parë tashmë që kjo dëshirë nuk ngopet ndonjëherë, se apetiti i KEDS-it është i gatshëm që të na ngulfat e thajë për ta trashë profitin e tyre. Po nuk iu bindëm, na kërcënojnë. Po nuk iu bindëm, ata na kërcënojnë me kamxhik të territ.” – potencoi ai.
Ai për këtë situatë, i konsideroi KEDS-in, ZRRE-në dhe Qeverinë e Kosovës.
“Na thonë se pa KEDS-in nuk do të kishim dritë në lagjet tona. Na thonë se nuk do të kemi ngrohje në lagjet tona. Na thonë që problemi është te konsumi ynë i tepërt, e jo apetiti i KEDS-it. Vjet vodhën prej 16.1% dhe na e bënë trekëndëshin: KEDS, ZRRE dhe Qeveri. Edhe sivjet po duan me na e trashë edhe më shumë e me na thënë që ka rritje tjetër prej 20%. Është përnime hile e zanatit të KEDS-it.” – deklaroi Ajdini.
Ndërsa u shpreh i revoltuar dhe KEDS-in e quajti ‘fajdexhinjë’.
“Tash sa vjet ju nuk jeni në shërbimin tonë, por ju jeni kundër nesh. Jeni fajdexhinjtë tanë më të mëdhenj. Andaj tash e tutje edhe ne do t’ju dalim përballë.” – protestoi ai.
Tutje, protestuesi, Vegim Bllacaku propozoi që në protestë duhet të dalin më shumë protestues.
“Nuk janë mjaftueshëm, po me 10 vetë duhet me fillu. Për çdo ditë duhet me qit shatorët këtu derisa të japin përgjegjësi. Kjo është boll, është boll.” – theksoi Bllacaku.
Ndërkaq, Egzon Hajdari nga Qendra Sociale “Përpjekja” tha se ZRRE-ja ka për qëllim t’i rregullojë çmimet, por sipas tij, ajo vetëm po aprovon kërkesat e KEDS-it.
“Pas privatizimit u krijua një bord i quajtur ZRRE, qëllimi i të cilit ishte të rregullojë çmimet energjetike, që mos me e leju një kompani zhvatëse si KEDS-i me përfitu në kurriz të qytetarëve. Por i vetmi rol që e ka luajtur ZRRE deri tash është aprovimi i kërkesave të KEDS-it.” – deklaroi Hajdari.
Ai tha se ndaj tyre kanë tri kërkesa. Kërkesa e tij e parë ishte “parandalimi i rritjes abuzive të çmimit nga KEDS-I sepse qytetarët nuk ia kanë borxh fitimin KEDS-it”, kërkesa e dytë ishte që “menjëherë pas konstituuimit të Kuvendit dhe të Qeverisë duhet të shkarkohet bordi i ZRRE-së, i cili po i shërben KEDS-it e jo qytetarëve” dhe kërkesa e tretë ishte se “duhet të fillojë të hapet debati dhe të fillojë procesi i shtetëzimit të KEDS-it”
“KEDS-i duhet t’i takojë popullit!” – tha Egzon Hajdari nga Qendra Sociale “Përpjekja”
Kjo protestë u organizua nga Organizata ‘Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist’ dhe Qendra Sociale ‘Përpjekja’./kallxo.com/