Qëndrimin e komisionarit të gjuhëve që vepron brenda Zyrës së Kryeministrit, sipas të cilit tabelat e vendosura në komunat veriore në alfabetin latin përbëjnë shkelje të Kushtetutës, e ka kundërshtuar Qeveria të dielën. Sipas ekzekutivit, Kushtetuta edhe Ligji kërkojnë barazi ndërmjet gjuhëve e jo mbivendosje.
Çështjen e shkeljes së Kushtetutës gjatë zëvendësimit të tabelave e ka ngritur një ditë më parë komisionari i gjuhëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Slavisha Mladenoviq. Por, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, legjislacioni kërkon barazi ndërmjet gjuhëve dhe jo mbivendosjen.
“Kushtetuta, e pas saj edhe Ligji, kërkojnë barazi ndërmjet gjuhëve e jo mbivendosje. Bërthama e tyre është të sigurojnë informimin në gjuhën amtare e jo të krijojnë pabarazi përmes mbivendosjes ndërmjet gjuhëve zyrtare. Kushtetuta dhe Ligji përcaktojnë përdorim të të dy gjuhëve dhe këtë Qeveria me veprimet e saj ka dëshmuar që e zbaton”, ka thënë Kryeziu.
Tutje Kryeziu në një përgjigje për KOHËN ka theksuar se një praktikë e ngjashme zbatohet në tabela të rrugëve rajonale dhe nacionale edhe në komunat e tjera me shumicë serbe.
Pika 9 e neni 59 të Kushtetutës, së cilës i është referuar komisionari Mladenoviq, specifikon se pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë që, në mënyrë individuale ose si komunitet të kenë emërtime lokale, emërtime të rrugëve dhe tregues të tjerë topografikë, që pasqyrojnë dhe që janë të ndjeshëm ndaj karakterit shumetnik dhe shumëgjuhësor të zonës përkatëse.
Tabelat me emërtime edhe në shqip të vendbanimeve në veri janë vendosur të enjten, e shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kërkoi që për këtë çështje të konsultohet komisionari Mladenoviq.
Në Zyrën e Kryeministrit nuk treguan nëse do t’i përgjigjen kësaj kërkese.
E për tabelat të cilat u vandalizuan vetëm një ditë pasi u vendosën, Policia ka ndaluar katër persona.
Por zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, tha për KOHËN se asnjëri nga ta nuk është arrestuar.
“Katër persona i kemi ndaluar fillimisht, që të gjithë të dehur. Në fund, dy personave iu janë shqiptuar tiketa për dehje në vend publik, një i dyshuar për vandalizëm dhe një ka mbetur dëshmitar”, ka deklaruar Elshani.
Të enjten në veri në tabelat shënjuese janë vendosur emërtimet në gjuhën shqipe. Emërtimi Rashka është kthyer në Jarinjë. Në shqip janë shkruar edhe fshatrat Banjskë, Soçanicë e Rudar. Por, më shumë se gjysma e tabelave që janë vendosur të enjten janë ngjyrosur ndërkohë nga persona të panjohur./KOHA/