Pas paralajmërimit për protestë të punëtorëve të Postes së Kosovës, edhe punëtorët e Lotarisë së Kosovës, do të protestojnë të hënën para ndërtesës së Qeverisë.
Lotaria e Kosovës ia pa sherrin kazioneve. Ish qeveria Haradinaj, bashkë me bastorët e kazinot mbylli edhe këtë ndërmarrje publike. Ajo as nuk u shpallë ndërmarrje e falimentuar dhe as nuk u lejua të veprojë më pas. Që nga viti i kaluar po mbahet pezull, pasi qeveria po meton të bëjë një ligj të veçantë për të. Janë rreth 65 punëtorë të kësaj ndërmarrje që kanë mbetur pa punë, nga ana tjetër shumë biznese-bastore po e ushtrojnë veprimtarinë e tyre ilegale nëpërmjet shërbimeve online, shkruan lajmi.net.
Shpresa Gosalci, zyrtare e administratës në Lotarinë e Kosovës, njëherësh anëtare e shoqatës në këtë ndërmarrje, thotë për lajmi.net se punëtorët e Lotarisë së Kosovës, do të protestojnë të hënën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës me kërkesë të përmbushjes së pagave për punëtorët e Lotarisë së Kosovës nga ana e Qeverisë si aksionare e Lotarisë së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka premtuar Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës se do të gjejë një zgjidhje për punëtorët tanë mirëpo një premtim i tillë ende nuk është përmbushur. Punëtorët tanë momentalisht gjenden në një situatë të mjerueshme përderisa u bë gati një vit që s’kanë pranuar pagë, e sidomos në përballjen me luftimin e Pandemisë Covid-19 që edhe më tepër e ka rënduar gjendjen e tyre. Ftojmë të gjitha mediat të jenë të pranishme, gjithashtu i bën thirrje publike Qeverisë së Kosovës që të përmbush premtimin dhe obligimin që e ka ndaj punëtorëve të Lotarisë së Kosovës”, ka thënë ajo.
Ajo ka njoftuar se protesta nis në orën 11:00.
Funksionimi i Lotarisë së Kosovës është bërë nëpërmjet Ligjit Nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit, që ka plotësuar dhe ndryshuar rregullimet e mëparshme që kanë datuar nga viti 1974. Sipas dispozitave të këtij Ligji, Lotaria e Kosovës ka pasur subjektivitet juridik dhe është menaxhuar nga Bordi Menaxhues i Lotarisë. Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Kosovës më 02.08.2017 ka miratuar edhe Statutin e Lotarisë së Kosovë, që ka rregulluar çështjet e organizimit të Lotarisë së Kosovës dhe ka përcaktuar që forma e organizimit të jetë si shoqëri aksionare. Më vonë, me datë 28 mars 2019 me miratimin e Ligjit Nr. 06/L-155 për Ndalimin e Lojërave të Fatit, është shfuqizuar Ligji Nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit dhe aktet nënligjore që kanë derivuar nga ky Ligj.
Ky Projektligj parasheh ri themelimin e Lotarisë së Republikës së Kosovës, i cili parashihet të jetë suksesor juridik i Lotarisë së Kosovës, i shuar me Ligjin Nr. 06/L-155 për Ndalimin e Lojërave të Fatit.Minsitria
Ndalimin e Lojërave të Fatit, ky Projektligj ka për qëllim rregullimin e funksionimit, udhëheqjes, dhe mbikëqyrjes së Lotarisë së Republikës së Kosovës. Pra, me këtë Ligj rregullohet organizimi dhe funksionimi i Lotarisë së Republikës së Kosovës (këtu e tutje Lotaria) llojet e lojërave të fatit të organizuara nga Lotaria, kushtet dhe mënyra e organizimit të lojërave të fatit, rregullat e lojës, mbikëqyrja e tyre dhe mënyra e shpërndarjes së të ardhurave nga lojërat e fatit të lotarisë.
Në Projektligjin që e ka parë lajmi.net, në kapitullin e parë rregullohet qëllimi, fushëveprimi dhe definicionet që shfrytëzohen nga ky Projektligj.
Në kapitullin e dytë të këtij Projektligji rregullohet fazat e organizimit të lojërave të fatit, ku përcaktohen llojet e lojërave të fatit që organizon Lotaria, rregullat e këtyre lojërave, mosha e pjesëmarrësve në këto lojëra, shtypja e tiketave, pjesëmarrja në lojëra, fondi i fitimit, tërheqja dhe pagesa e fitimit. Po ashtu, në këto dispozita rregullohet trajtimi tatimor i fitimit nga lojërat e fatit si dhe ndarja e dividendës nga të hyrat e Lotarisë.
Në kapitullin e tretë të këtij Projektligji rregullohen çështjet e funksionimit të Lotarisë, ku përcaktohet që Lotaria ka subjektivitet juridik dhe ekskluzivitet në organizimin e lojërave të fatit, pa të drejtë delegimi apo autorizimi të subjekteve tjera. Po ashtu, këto dispozita përcaktojnë që Qeveria është aksionar i Lotarisë së Kosovës dhe organin mbikëqyrës i Lotarisë është Bordi i Lotarisë. Ky Bord, i cili propozohet të ketë mandat 4 vjeçar, sipas këtyre dispozitave emërohet sipas kritereve të qarta që garantojnë cilësi, dhe procedurave transparente.
Në kapitullin e fundit të këtij Projektligji rregullohen përgjegjësitë suksesore të Lotarisë, ku Lotaria përcaktohet si suksesor juridik i ish Lotarisë së Kosovës dhe ku kjo organizatë e re merr përsipër të gjitha obligimet dhe benifitet si suksesor. Po ashtu, kjo organizatë merr përsipër edhe punësimin e ish punëtorëve të Lotarisë, përfshirë edhe një pjesë të mandatit të Bordit. /Lajmi.net/