LAJME

Prokuroria e Pejës për letrën e Zekajt: U është përcjellë për trajtim urgjent autoriteteve

Prokuroria e Pejës për letrën e Zekajt: U është përcjellë për trajtim urgjent autoriteteve
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Tetor 2026, 09:38

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar në lidhje me rastin e gruas që dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitormiricë më 25.10.2026.

E ndjera, Arlinda Zekaj, u pretenduar se i ishte drejtuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, me një letër tre ditë para vrasjes së saj.

Prokuroria e ka konfirmuar se kryeprokurorja Vuçetaj më 22.10.2026, kishte pranuar një parashtresë nga Arlinda Zekaj përmes së cilës kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, për shkak të pretendimeve për dështime në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rasteve të saj, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.

“Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent, me qëllim të vlerësimit të pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.” – njofton Prokuroria.

Po ashtu thuhet se njëkohësisht, parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent autoriteteve përkatëse institucionale, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën për shqyrtimin e pretendimeve dhe verifikimin e lëshimeve eventuale apo veprimeve të zyrtarëve përkatës, brenda përgjegjësive të tyre institucionale.

“Lidhur me kërkesën e viktimës për ekzekutimin e vendimit gjyqësor që kishte të bënte me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria njofton se ekzekutimi i këtij vendimi është mundësuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.” – thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Pejë thekson se rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet e paraqitura në parashtresën e viktimës dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet përkatëse, do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm, në përputhje me procedurat ligjore dhe kompetencat përkatëse.

Prokuroria e ka konsideruar të rëndësishëm informimin e drejtë të opinionit publik lidhur me këtë çështje dhe i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës.

Në letrën që tashmë po qarkullon në rrjete sociale, Zekaj i ishte drejtuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, duke i kërkuar urgjentisht marrjen e masave ndaj zyrtarëve që sipas saj kishin dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave.

“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësitë te njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhërit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja [Qendra për Punë Sociale].” – kishte shkruar në letër Zekaj, më 22.10.2026.

Zekaj madje kishte paralajmëruar se kjo ishte shkresa e saj e fundit.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gjendja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri! E dhimbshme deri në asht!!” – ka theksuar tashmë e ndjera.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika