Profesori nga Prizreni, Neki Jahaj, i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka njoftuar kjo parti.
Sipas njoftimit të AAK-së, kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, ka pritur në takim Neki Jahajn, me rastin e aderimit të tij në radhët e Aleancës. Në takim ishte i pranishëm edhe sekretari i degës së AAK-së në Prizren, Dren Kastrati.
Gjini e ka cilësuar Jahajn si “një vlerë të shtuar dhe një profil të lartë intelektual” që i bashkohet rrugëtimit politik të partisë.
“Bashkimi i njerëzve të dëshmuar të dijes, arsimit dhe menaxhimit është garancia më e mirë për projektet dhe vizionin që Aleanca ka për të ardhmen”, thuhet në njoftimin e AAK-së.
Neki Jahaj ka një përvojë të gjatë në fushën e arsimit dhe të gjuhëve të huaja. Ai është profesor i gjuhës gjermane, përkthyes gjyqësor dhe ekzaminues i licencuar ndërkombëtar i ÖSD-së.
Gjatë karrierës së tij profesionale, Jahaj ka ushtruar detyra drejtuese në Gjimnazin “Loyola”, ku ka shërbyer si drejtor dhe zëvendësdrejtor ekzekutiv. Ai është gjithashtu themelues dhe drejtues i Shkollës së Gjuhëve “URA”.
Në fund Gjini i ka uruar mirëseardhje Jahajt, duke vlerësuar vendimin e tij për t’u bërë pjesë e Aleancës.
