Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim një delegacion të strehimoreve të Kosovës, me të cilat ka diskutuar për mbrojtjen e grave nga dhuna, sfidat me të cilat përballen strehimoret dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit me institucionet.
Gjatë takimit, presidentja ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e përfaqësueseve të strehimoreve, duke theksuar rëndësinë e rolit të tyre në ofrimin e mbrojtjes, sigurisë dhe mbështetjes për gratë që përballen me dhunë.
Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka-Pula ka theksuar se mbrojtja e grave dhe garantimi i dinjitetit të tyre kërkojnë angazhim të përbashkët të institucioneve dhe të shoqërisë.
“Ajo theksoi se mbrojtja e grave nga dhuna dhe garantimi i dinjitetit të tyre janë përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore, duke nënvizuar se asnjë grua nuk duhet të përballet e vetme me dhunën apo vështirësitë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe sfidave dhe nevojave konkrete të strehimoreve, si dhe mënyrave për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve për gratë që kanë nevojë për mbrojtje dhe përkrahje.
Presidentja ka shprehur interesim për mundësitë e bashkëpunimit më të ngushtë me institucionet, me qëllim që shërbimet e ofruara nga strehimoret të jenë të qëndrueshme, të qasshme dhe efektive.
Në fund të takimit, Shiroka-Pula ka riafirmuar gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm me përfaqësueset e strehimoreve dhe për shqyrtimin e mundësive për mbështetjen e punës së tyre.
Sipas Presidencës, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe çështjeve që kërkojnë trajtim dhe angazhim institucional, në funksion të mbrojtjes së grave dhe garantimit të sigurisë së tyre.





