Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit, duke folur për aktivitetin e saj në fushën e politikës së jashtme ka theksuar se gjatë vitit 2022 është investuar shumë në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe me shtetet anekënd botës.
“Këtë vit kemi ndërmarrë hapa konkret drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi në këtë institucion është moment kulminant i angazhimit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dje, ndërkaq nënshkruam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili sot i dorëzohet Presidencës Çeke, të cilën dua ta shfrytëzoj rastin ta falënderoj për përkrahjen e jashtëzakonshme për këta 6 muaj. Anëtarësimi në BE është objektiv i yni strategjik, prandaj aplikimi na sjellë një hap më afër realizimit të këtij synimi historik. Në këtë frymë, ne kemi filluar po ashtu diskutimet politike me aleatët tanë për përfshirjen e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si hap paraprijës formal i anëtarësimit në NATO”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Sipas saj, gjatë këtij viti me punën e saj është kujdesur që t’i ruajë e thellojë miqësitë ekzistuese, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, shtetet e BE-së.





