Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e ka nisur udhëtimin e saj në Ballkanin Perëndimor me takimet me krerë të shteteve.
Turin e ka nisur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ku po zhvillohet Forumi për Investime BE-Ballkani Perëndimor.
Shefja e BE-së, do të diskutojë Planin e Rritjes të BE-së për rajonin e Ballkanit për periudhën 2024-2027.
Më 13 tetor, shefja e KE-së do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Në të njëjtën ditë, ajo do të vizitojë edhe Tivarin e Malit të Zi, ku do të takohet me presidentin malazez Jakov Millatoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq.
Një ditë më pas, ajo do të qëndrojë në Bosnje e Hercegovinë ku do të takohet me anëtarët e Presidencës së vendit, me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto si dhe do të vizitojë Qendrën Memoriale për Srebrenicën.
Më 15 tetor, von der Leyen do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, shkruan në agjendën e publikuar nga Komisioni Europian.
Më 15 tetor, ajo ka planifikuar që të vizitojë edhe Serbinë e të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministrin Duro Macut. Poashtu, ajo do ta vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, për t’u takuar me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.
