Malishevë – B. Q. është dënuar me pesë muaj burgim efektiv dhe 200 euro gjobë pasi ka pranuar se ka përvetësuar 335 shtylla metalike të cilat i kishte marrë me qira nga S.E. dhe të njëjtat i kishte shitur.
Sipas aktgjykimit të shpallur në Gjykatën Themelore të Gjakovës, dega Malishevë, nga gjykatësi Lulzim Paçarizi, i akuzuari është ngarkuar me paushallin gjyqësor në shumën prej 30 euro si dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumën prej 30 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën fillestare të mbajtur më 19 tetor, i akuzuari Q.i e kishte pranuar fajësinë.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur në janar të 2020-ës, e ngarkon B. Q. se nga muaji janar deri në muajin shkurt të vitit 2018, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në vazhdimësi e mashtron të dëmtuarin S. E.
Sipas aktakuzë, i akuzuari paraqitet tek shtëpia e të dëmtuarit në fshatin Ngucat të Malishevës, dhe ia kërkon për t’ia marrë 200 shtylla metali kinse me qira, dhe ia paguan 200 euro për një muaj me kusht që shtyllat të kthehen dhe nuk ia kthen asnjëherë.
Në aktakuzë thuhet se pas kësaj i akuzuari 20 ditë më vonë përsëri e kontakton të dëmtuarin dhe ia kërkon edhe 135 shtylla të tjera metalike, kinse me qira, të cilat i dëmtuari i dërgon deri në fshatin Kijevë, dhe ia dorëzon një personi i prezantuar si punëtor i të akuzuarit.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari për këto shtylla nuk bën pagesën asnjëherë, e po ashtu të njëjtat nuk i kthen më tek i dëmtuari, por i shet tek personat e tjerë, me çka të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprat penale “mashtrimi” në vazhdimësi, nga neni 335, paragrafi 1, lidhur me nenin 81, paragraf 1, të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.