Ministria e Financave është duke bërë vlerësimin e kostos së Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të Policëve. MF-ja nuk ka treguar se kur mund të përfundojë vlerësimi, i cili pastaj i hap rrugë procedimit të projektligjit për në Kuvend. Por Sindikata e Policisë kërkon që projektligji të miratohet sa më shpejt, kurse njohësit e fushës së sigurisë e vlerësojnë atë si vështirë të zbatueshëm në praktikë për shkak të kostos së lartë të tij.
Me moshën mesatare prej 48 vjeç, policët e Kosovës janë më të vjetrit në rajon.
Tash e disa vjet ka nisur puna për hartimin e Projektligjit për Pensionimin e Parakohshëm të Policëve.
Para 4 muajsh, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se së shpejti do të procedohet në Kuvend ky projektligj, por një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur.
Projektligjin, i cili i hap rrugë rekrutimit të gjeneratave të reja në Polici, MPB-ja konfirmon se e ka dërguar në Ministrinë e Financave për të bërë vlerësimin financiar, por kjo e fundit nuk ka treguar se kur pritet të përfundojë procesi.
Në Sindikatën e Policisë kërkojnë miratimin sa më të shpejtë të projektligjit.
“Duhet ta keni në konsideratë sepse Policia e Kosovës është institucioni i parë i formuar pas luftës dhe natyrisht se në atë kohë kanë qenë të aplikuar edhe persona të cilët nuk kanë pasur kufizime të moshës prandaj tani është koha që ata duhet të pensionohen dhe sigurisht meritojnë të pensionohen me një pension të dinjitetshëm”, ka thënë Valbona Kamberi, kryetare e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Mirëpo sfiduese për shtetin, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) e vlerëson koston e lartë të zbatimit të këtij ligji.
Secili zyrtar policor që mbush 55 vjet kalon në pensionim të parakohshëm, derisa pritet të marrë si pension 60 për qind të pagës. Rreth kësaj moshe, Kosova vlerësohet se ka afro 2 mijë policë.
“Shkallshmëria e vet procesit të pensionimit të parakohshëm duhet të garantojë reformim brenda Policisë së Kosovës sepse vet ideja e pensionimit të parakohshëm është një lloj vettingu në heshtje i strukturave të brendshme të Policisë me qëllim të rifreskimit të radhëve të saj, por që policia të investojë në profesionalizëm edhe të atyre zyrtarëve që do t’i rekrutojë”, ka deklaruar Plator Avdiu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Institucionet nuk kanë bërë të ditur shumën e kostos eventuale të këtij projektligji, por sipas një hulumtimi të mëhershëm të QKSS-së, ajo llogaritet të jetë rreth 70 milionë euro.
Zbatimi i këtij legjislacioni planifikohet të nisë nga viti 2023, derisa procesi i pensionimit pritet të bëhet gradualisht.