LAJME

PDK dhe Aleanca kritikojnë Konjufcën për fjalimin në OKB, LVV e cilëson përfaqësim dinjitoz

PDK dhe Aleanca kritikojnë Konjufcën për fjalimin në OKB, LVV e cilëson përfaqësim dinjitoz
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Tetor 2026, 13:50

Përfaqësimi i Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), nga ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca po kritikohet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu- Shoshi thotë se kryediplomati kosovar u tregua i rezervuar për të mbrojtur ish krerët e UÇK-së, të cilët u dënuan padrejtësisht nga Gjykata Speciale në Hagë. Kritika adresoi edhe anëtari i kryesisë së Aleancës, Daut Haradinaj.

Por, ndryshe mendon shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së Arbërie Nagavci, e cila thotë se Konjufca e përfaqësoi Kosovën denjësisht.

Me 20 tetor, Konjufca përfaqësoi Kosovën në KS të OKB-së, ku ka përmendur aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili tha se përmban gabime faktike dhe përmbajtësore.

Zëvendëskryeministri i parë, pret që këto gabime të korrigjohen gjatë procesit të apelit, duke theksuar në fjalimin e tij, rëndësinë e një procesi gjyqësor të paanshëm dhe të bazuar në fakte e prova.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha për KosovaPress se Konjufca është treguar i rezervuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, duke vlerësuar se Këshilli i Sigurimit ishte mundësi për të ngritur më fuqishëm zërin kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale.

Sipas saj, dënimet prej gjithsej 81 vjetësh burgim ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është dashur të trajtoheshin vetëm përmes deklaratave diplomatike. Ajo ka kritikuar edhe mospërmendjen e tyre me emra gjatë fjalimit.

Kritika ndaj Konjufcës ka adresuar edhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale ka shprehur pakënaqësinë me mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në këtë mbledhje.

Haradinaj ka vlerësuar se në Këshillin e Sigurimit nuk është prezantuar mjaftueshëm e vërteta për luftën e Kosovës dhe sakrificën për liri.

Ndryshe nga përfaqësuesit e opozitës, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka mbrojtur paraqitjen e Konjufcës, duke vlerësuar se ai e ka përfaqësuar denjësisht Republikën e Kosovës.

Nagavci kritikoi qëndrimet e përfaqësuesve të Serbisë në Këshillin e Sigurimit, ndërsa ka rikujtuar edhe votimin për themelimin e Gjykatës Speciale, duke akuzuar opozitën për qëndrime kundërthënëse.

Nagavci u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të bashkohen në çështjet të cilat janë në interes të Kosovës.

“Konjufca ka bërë një prezantim dinjitoz të Republikës së Kosovës, është për keqardhje të shohim se Serbia dhe përfaqësuesit e saj vazhdojnë të viktimizohen, të flasin të pavërteta…Fatkeqësia për Kosovën është që deputetet e opozitës në atë kohë, 82 deputetë kanë mundësuar krijimin e Gjykatës Speciale dhe disa nga ata deputetë që kanë votuar edhe sot vazhdojnë të paraqiten me deklarata thuajse nuk ka ndodhur asgjë, por e vërteta është që Kosova nuk ka qenë asnjëherë më e fuqishme dhe më e përgatitur në mbrojtjen e sovranitetin dhe integritetit të vet, përballë fjalëve shpesh të pa qena të përfaqësuesve të Serbisë. Andaj, kushdo që ka kritika për përfaqësim konsideroj se janë tërësisht sipërfaqësore, sepse edhe ata vet janë dëshmitarë të realitetit që ne po i jetojmë çdo ditë. Ju bëj thirrje deputetëve të opozitës që të bëhemi bashkë tek çështjet që janë me interes të Kosovës”, tha Nagavci.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në New York, ka përfunduar me fjalën e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca. Ai i ka kërkuar homologut të tij serb, Marko Gjuriq, të mos takohet me Milan Radoiçiqin, duke i se ky i fundit është i kërkuar nga INTERPOL-i, raporton KosovaPress.

Konjufca tha se, nëse Serbia synon integrimin në Bashkimin Evropian, Gjuriqi duhet të reflektojë për takimet me kriminelin Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë të Zvecanit./KP

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika