Pas vendimit për targat, serbët në veri kërkojnë që Beogradi t’i ndajë dy milionë euro për gjobat e targave

Pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, lidhur me targat, ka reaguar iniciativa qytetare në veri të Mitrovicës, “Mbijetesa Serbe”.

Përmes njoftimi në llogarinë e tyre në Facebook, kanë kërkuar që të anulohet vendimi i ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për gjobitje të atyre që nuk i ndërrojnë targat në RKS.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për rrezikun që pronarët e rreth 9000 automjeteve me targa të përmendura fillimisht të gjobiten, e më pas t’u konfiskohen automjetet. Në asnjë rrethanë nuk e mbështesim vendimin e Qeverisë së Kosovës, sepse ai nuk jep zgjidhje thelbësore dhe paraqet një shtrëngim gradual të lakut në qafën e qytetarëve serbë”.

Në rast të shqiptimit të gjobave nga institucionet e Kosovës,  kjo organizatë ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë t’i paguajë gjobat për targat për qytetarët serbë.

“Kërkojmë që masa e përmendur të anulohet menjëherë dhe qytetarët të lejohen të lëvizin lirshëm pavarësisht targave që kanë! Në rast të shqiptimit të gjobave masive ndaj pronarëve të targave serbe, sugjerojmë që Qeveria e Serbisë t’i mbulojë të gjitha shpenzimet që rezultojnë, sepse ishte qeveria ajo që u pajtua që të ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës në vitin 2016, që i jep më shumë argument Qeverisë së Kosovës. Qeveria e Serbisë mund t’i ndajë dy milionë euro për pagesën e gjobave”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ata hodhën kritika edhe ndaj Listës Serbe, duke thënë se ajo insiston në destabilizim të situatës, në vend të zgjidhjes.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka shpalosur një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në disa faza.

Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor./Telegrafi/

Next Post

Të Fundit