Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), së bashku me përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, kanë bërë homazhe në Prekaz, në nderim të dëshmorëve të kombit, në Ditën e Flamurit.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, pas homazheve ka deklaruar se festat kombëtare nuk po shënohen siç duhet, për shkak të mbajtjes në Hagë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Edhe sot, këto festa nuk shënohen për ne si duhet, për arsye sepse krerët e ushtrisë shqiptare të Kosovës janë padrejtësisht në Hagë dhe unë dua nga ky vend, do t’ju thoja, përfaqësueseve të institucionit nuk vlen vetëm të vijnë e të bëjnë deklarata në këtë vend të shenjtë, tek varrezat e dëshmorëve, por të veprojnë në detyrat dhe pozicionet që i kanë marrë, sepse kanë përgjegjësi morale, njerëzore dhe kombëtare, dhe, edhe sot nga këtu dua t’ju bëj thirrje, deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, që thirrët një seancë sa më shpejt dhe vetëm në nëntë votohet dhe të shfuqizohet gjykata speciale, ajo gjykatë politike, ku morën një vendim politik dënojë krerët rëndë dhe goditi, siç e kemi thënë në vetë luftën e lavdishme të ushtrisë shqiptare të Kosovës, goditi në shtetësinë e Kosovës”, ka deklaruar Jashari.
Sot shënohet 114-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, e shpallur më 28 nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali. /KP