Një nismë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë njofton se nuk po arrin të sigurojë fondet e nevojshme për të furnizuar vendet e varfra me vaksina, terapi dhe diagnostikim për të luftuar koronavirusin.
Nisma për qasje të përshpejtuar tek mjetet për të luftuar COVID-19-ën, e njohur si ACT, është ndërmarrë nga OBSH-ja dhe partnerët e saj për të luftuar sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi. Koordinatori i saj, Bruce Aylward, thotë se fondet për këtë nismë janë dhënë me pikatore.
“Mungesa e financimit është ajo që nuk na mundëson daljen nga kjo pandemi sa më shpejt të jetë e mundur. Kaq e thjeshtë është.”OBSH-ja njofton për më shumë se 71 milion raste koronavirusi në mbarë botën, përfshirë më shumë se 1.6 milion vdekje.
Zoti Aylward thotë se duhen ndërmarrë veprime urgjente për të mbyllur hendekun financiar prej 28 miliard dollarësh për programin ACT. Ai thotë se shpërndarja e drejtë e mjeteve për të shpëtuar jetët nga COVID-19 në vendet e varfra vitin e ardhshëm varet pikërisht nga kjo mungesë.
“Me gjithë vëmendjen ndaj vaksinave, është absolutisht thelbësore që ne të vazhdojmë të shikojmë jo vetëm tek diagnostikimi, por edhe tek terapitë, nëse do të shpëtojmë jetë dhe parandalojmë vdekshmërinë e lartë “, thotë ai.
Zoti Aylward thotë se vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme po mbeten pas vendeve të pasura në garën s për të blerë sa më shumë doza vaksinash që të jetë e mundur. Ai po u bën thirrje vendeve më të pasura të kontribojnë tek COVAX, një iniciativë e OBSH-së e ngritur për të siguruar vaksina me kosto të ulët për vendet e varfëra.Deri tani, thotë ai COVAX nuk ka para për të blerë dy miliardë doza vaksina për shpërndarje në 92 vendet në zhvillim vitin e ardhshëm.
“Pra, ajo që n po përpiqemi të bëjmë me ato dy miliardë doza është t’i shpërndajmë në mënyrë të tillë, që të lehtësohen njësitë e kujdesit intensive, distancimi fizik dhe për t’i rimëkëmbur ekonomitë tona.
Për të larguar frikën prej kësaj sëmundjeje, për të rikthyer besimin e konsumatorëve, korporatave, komuniteteve dhe vendeve. Këtë mund të bëjmë me atë shumë. Por nuk mund ta realizojnë pa 5 miliardë dollarë për të mbyllur hendekun “.
Zoti Aylward thotë se zhvillimi i suksesshëm i vaksinave mbrojtëse kundër COVID-19 jep shpresë se ka dritë në fund të tunelit. Ai gjithsesi paralajmëron, se do të duhet kohë për të prodhuar dhe përhapur të gjitha vaksinat e nevojshme për të eliminuar pandeminë në botë./VOA