Në Kosovë pas një muaji nën masa kufizuese anti-COVID kanë vdekur 390 persona, janë rreth 3 mijë raste aktive më shumë dhe janë infektuar mbi 18 mijë persona
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, para një muaji kishte prezantuar masat e reja me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit Sars-Cov-2, meqë trendi i rasteve që po infektoheshin ishte në rritje. Megjithatë, këto masa s’kanë prodhuar kurrfarë efekti pozitiv, meqë në Kosovë brenda kësaj periudhe një mujore me kufizime janë infektuar mbi 18 mijë persona dhe janë rreth 3 mijë raste aktive më shumë sesa periudha kur nuk kishte kufizime shtesë. Gjithashtu brenda kësaj periudhe njëmujore edhe numri i vdekjeve ka qenë tejet i lartë. Gjithsejtë kanë vdekur 390 persona.
Në komunikatën e IKSHP-së së datës 12 nëntor 2020 gjithsej raste pozitive kane qenë 26 mijë e 888, derisa vetëm një muaj më vonë, pas vendosjes së kufizimeve, numri i rasteve pozitive ka shkuar në 45 mijë e 594.
Për një muaj me kufizime është rritur edhe numri i rasteve aktive. Pra më datë 12 nëntor në Kosovë kanë qenë gjithsejtë 9 mijë e 418 raste aktive, derisa sot në të dhënat e publikuara nga IKSHP janë 11 mijë e 922 raste aktive.
Edhe numri i personave që kanë vdekur nga Sars-Cov-2 nga 784 sa ishte më 12 nëntor, sot ka shkuar në 1 mijë e 174 .
Derisa numri i të shëruarve është rritur dyfish. Nga 16 mijë e 685 raste sa kane qenë para një muaji, tashmë janë të shëruar 32 mijë e 498 persona.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Nga kjo ministri është thënë që kah mesi i dhjetorit, në bazë të projeksioneve, edhe mund të propozohen masa të reja.
“Me trendin e tanishëm të rasteve pozitive me SARS COV-2 (Covid-19) dhe ngarkesën aktuale të spitaleve (QKUK dhe 7 spitalet e përgjithshme), nënkuptohet që do të jenë në fuqi masat e ndërmarra në nëntor nga Qeveria sipas propozimeve nga MSh-ja. Megjithatë, situata epidemiologjike analizohet në baza të rregullta dhe në varësi të asaj se sa është numri i të infektuarve, sa është numri i të shtrirëve në spital dhe cilat janë projeksionet, edhe mund të propozohen masa të reja. Por për momentin, do të vazhdohet me këto që janë në fuqi”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie dhënë për Express.
Edhe nga MSH-ja po e pranojnë se numri i rasteve me koronavirus është në rritje, edhe pse të njëjtit pohojnë se kanë qenë masat e ndërmarra ato që kanë parandaluar një rritje të rasteve.
“Masat në fuqi kanë parandaluar një rritje eksponenciale të rasteve, edhe pse edhe numri aktual është i lartë, por jo jashtë parashikimeve apo projeksioneve të bëra nga IKShPK-ja”, thuhet ndër të tjera në përgjigjet e Divionit për Komunikim me Publikun në kuadër të MSH-së, për Express.
Ndërsa për sa i përket mbylljes për fundvit, nga MSH-ja po thonë se është ende herët për vendime konkrete.
“Është ende herët të dihet se si do të veprohet në mënyrë specifike me secilin sektor apo veprimtari në fund të vitit. Masat në fuqi u përgjigjen projeksioneve për një trend të ngjashëm te rasteve deri ka mesi i muajit, pastaj do të shihet në analizat e tjera se cilat janë parashikimet për dy javët e fundit të vitit 2020. Pra, tani për tani, mbesin në fuqi të njëjtat masa”, deklarojnë më tutje ata.
Në ndërkohë në fuqi po vazhdojnë që të jenë masat e marra më 12 nëntor të këtij vitit.
“Të gjithë qytetarët e huaj të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, e që vijnë nga vendet me risk të lartë, sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit RT-PCR në Sars COV-2 që janë me rezultat negativ me COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit, është njëra ndër masat e këtij vendimi.
Tjetër masë është obligimi i të gjitha institucionet publike dhe private të mbikëqyrin në baza ditore paraqitjen e stafit në punë në përputhje me “Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID-19”, përfshirë matjen e detyrueshme të temperaturës për të gjithë gjatë hyrjes në objekte.
Vendim pati edhe në sektorin e arsimit. Procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet në formën online, ndërsa provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së, ndërsa për ushtrimin e veprimtarisë së çerdheve publike dhe private në tërë territorin e Republikës së Kosovës kërkohet vlerësimi dhe mbikëqyrja nga autoritetet komunale bazuar në “Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID-19”, përfshirë matjen e temperaturës së fëmijëve dhe stafit në baza ditore gjatë hyrjes në objekte.
Në anën tjetër personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe gratë gjidhënëse janë liruar nga paraqitja në punë, ndërkaq punëdhënësit udhëzohen, për aq sa është e mundshme, të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre në punë nga shtëpia ndërsa personave mbi moshën 65 vjeç iu lejohet dalja jashtë shtëpisë gjatë orarit 6:00-10:00 dhe 16:00-19:00, ndërkaq jashtë këtij orari kanë të drejtë të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore, si dhe vendime të tjera. /Gazeta Express/