LAJME

Një ditë para Samitit, Ambasada gjermane rendit katër synimet e Procesit të Berlinit

Një ditë para Samitit, Ambasada gjermane rendit katër synimet e Procesit të Berlinit
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Tetor 2026, 13:46

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka theksuar se Procesi i Berlinit synon afrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.

Në një postim në Facebook, një ditë para Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 22.10.2026 në Miloçer të Budvës, ambasada ka paraqitur synimet kryesore të kësaj nisme.

Sipas ambasadës, Gjermania synon që të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të afrohen më shumë me anëtarësimin në BE, përmes reformave të nevojshme për procesin e integrimit evropian.

Një tjetër synim është forcimi i bashkëpunimit rajonal, ndërtimi i besimit dhe avancimi i Tregut të Përbashkët Rajonal.

Ambasada ka theksuar edhe rëndësinë e lidhjes së qytetarëve të rajonit, përmes mundësimit të udhëtimit të lirë, shkëmbimeve rinore dhe njohjes reciproke të kualifikimeve profesionale dhe atyre të arsimit të lartë.

Ndër synimet e paraqitura është edhe tranzicioni i gjelbër, me qëllim ndërtimin e një Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, rezistent ndaj ndryshimeve klimatike dhe me prosperitet.

“Procesi i Berlinit është platforma kryesore politike për forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, nxitjen e integrimit rajonal dhe mbështetjen e rrugës së rajonit drejt Bashkimit Evropian” – thuhet në postimin e Ambasadës Gjermane.

Ambasada ka vlerësuar se mbajtja e samitit në Mal të Zi dërgon një sinjal pozitiv, duke nënvizuar rëndësinë në rritje të rolit udhëheqës të vendeve të rajonit në përcaktimin e bashkëpunimit dhe të ardhmes së tyre të përbashkët.

Mali i Zi kryeson Procesin e Berlinit për vitin 2026 dhe do të jetë nikoqir i samitit të liderëve më 22 tetor.

Procesi i Berlinit përfshin Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Ngjarja është një tubim i nivelit të lartë që do të shënojë përmbylljen e kryesimit të Malit të Zi dhe do të mbledhë liderët e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian dhe organizatave ndërkombëtare.

Mali i Zi është në vijën e parë të zgjerimit të BE-së me synimin që të bëhet anëtari i 28-të i bllokut më 2028.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika