NISMA Socialdemokrate njofton se ka mbajtur takimin e kryesisë dhe me kryetarët e degëve ku thonë se diskutuan rreth zgjedhjeve të reja në vend.
Nga kjo parti thonë se po punojnë për të garuar të vetëm në këtë proces zgjedhor.
Por thonë se janë dakorduar që varësisht rrethanave të procesit zgjedhor të vendoset se a do konkurrojnë të vetëm apo në koalicion parazgjedhor.
Ky është postimi i tyre i plotë:
NISMA Socialdemokrate ka mbajtur sot një takim me anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e degëve, ku është diskutuar rreth përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga drejtuesit e degëve që të mobilizojnë dhe angazhojnë strukturat e Nismës anekënd vendit, në mënyrë që subjekti ynë të dalë sa më e fuqishme nga ky proces i parakohshëm zgjedhor.
Gjithashtu, kryetari Limaj, drejtuesve të degëve u ka thënë se, ruajtja dhe mbrojtja e vlerave tona kombëtare është vet programi ynë si Nismë, dhe në funksion të kësaj duhet që të gjithë të angazhohemi maksimalisht.
NISMA Socialdemokrate është duke u angazhuar në teren që të garoj e vetme në këtë proces zgjedhor dhe zëri i saj të jetë edhe më i fuqishëm në parlament dhe çdo institucion ku udhëheq me të.
Në këtë takim, anëtarët e kryesisë dhe drejtuesit e degëve të Nismës u dakorduan që në varësi të rrethanave të këtij procesi zgjedhor, të vendoset se si do të konkurroj Nisma në këto zgjedhje e vetme apo në ndonjë koalicion parazgjedhor.