LAJME

Nga një muaj paraburgim ndaj tre të pandehurve, dyshohen për fajde, sulm ndaj policit dhe rrezikim të trafikut

Nga një muaj paraburgim ndaj tre të pandehurve, dyshohen për fajde, sulm ndaj policit dhe rrezikim të trafikut
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Gusht 2026, 17:25

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar nga një muaj paraburgim ndaj tre të pandehurve, të dyshuar për disa vepra penale.

Masa e paraburgimit, e cila mund të zgjasë deri më 18 shtator 2026, është caktuar ndaj F.S., B.S. dhe A.D., pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë së Shtetit.

Sipas njoftimit të Gjykatës, F.S. dyshohet për veprën penale “Fajdeja”, ndërsa B.S. dyshohet për fajde në bashkëkryerje me A.D., sulm ndaj personit zyrtar dhe rrezikim të trafikut publik. A.D. dyshohet për fajde në bashkëkryerje me B.S.

Sipas dyshimeve të përshkruara nga Gjykata, B.S. dhe A.D. dyshohet se kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit, duke shfrytëzuar gjendjen e pafavorshme financiare dhe personale të një personi të dëmtuar.

Më 18 gusht 2026, ata dyshohet se janë hasur në flagrancë duke pranuar para nga personi i dëmtuar, të cilat dyshohet se janë marrë në emër të kamatës. Sipas Gjykatës, gjatë ikjes nga Policia, shumën e parave dyshohet se e ka marrë me vete A.D., i cili ka zbritur nga automjeti në fshatin Vlashnje. Të dy të dyshuarit më pas janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Ndërkohë, F.S. dyshohet se që nga viti 2020, në Prizren, ka kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm dhe duke shfrytëzuar gjendjen financiare dhe personale të personit të dëmtuar.

B.S. dyshohet gjithashtu për sulm ndaj personit zyrtar. Sipas Gjykatës, më 18 gusht, gjatë një operacioni policor për arrestimin e të dyshuarve, ai nuk është ndalur me automjetin e tij, pavarësisht se kishte vërejtur zyrtarët policorë, por ka vazhduar me shpejtësi dhe gjatë ikjes ka goditur një zyrtar policor.

Polici, sipas njoftimit, ka pësuar lëndime të lehta trupore, ndërsa B.S. ka vazhduar drejt fshatit Vlashnje.

Gjithashtu, gjatë ikjes dhe si pasojë e shpejtësisë së madhe, në dalje të fshatit Vlashnje, automjeti dyshohet se ka goditur një këmbësore, e cila ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Gjykata ka bërë të ditur se gjatë vendosjes për paraburgimin ka marrë parasysh provat materiale dhe shkresat e dorëzuara nga Prokuroria, të cilat, sipas saj, e arsyetojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

Sipas Gjykatës, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer, paraburgimi është vlerësuar si masë e nevojshme për të siguruar praninë e të pandehurve dhe mbarëvajtjen e papenguar të procedurës paraprake.

Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika