Kosova shpenzon mbi dy milionë euro brenda një dite për mallra të importuara nga Kina – nga lodrat dhe pajisjet elektro-shtëpiake deri te produktet ushqimore dhe ato bujqësore.
Të dhënat flasin për një prani gjithnjë e më të madhe të këtyre mallrave në tregun kosovar.
Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vlera e importit nga Kina është rritur nga 452 milionë euro në vitin 2021 në 841 milionë euro në 11 muajt e parë të vitit 2025.
Kjo shumë tashmë ka tejkaluar vlerën e importeve nga vendet anëtare të CEFTA-s – Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina dhe Moldavia – të cilat tradicionalisht kanë qenë ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës në rajon.
Në anën tjetër, eksportet e Kosovës drejt Kinës mbeten pothuajse simbolike: më pak se një milion euro në vit – çka e thellon ndjeshëm deficitin tregtar dhe e vendos raportin ekonomik mes dy vendeve në një pabarazi të theksuar.
Tregti pa diplomaci
Përkundër këtyre shkëmbimeve tregtare, Prishtina dhe Pekini nuk kanë marrëdhënie diplomatike.
Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, dhe vazhdon të mbështesë “integritetin territorial të Serbisë”, e cila, me Kushtetutë, Kosovën e konsideron pjesë të territorit të saj.
Për rrjedhojë, Kina nuk ka ambasadë në Kosovë, por vetëm një zyrë ndërlidhëse që funksionon nën Ambasadën kineze në Beograd.
Pse Kina është kaq e pranishme në tregun kosovar?
Gazmend Qorraj, ligjërues i Tregtisë Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimi i ulët i produkteve kineze është faktori kryesor që i bën ato tërheqëse për tregun e Kosovës.
E, kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me fuqinë e ulët blerëse të qytetarëve, sipas tij.
Qorraj shpjegon se bizneset veprojnë kryesisht të udhëhequra nga logjika e fitimit, pa marrë domosdoshmërisht parasysh implikimet makroekonomike apo strategjike.
“Tregtarët investojnë aty ku shohin potencialin më të madh për fitim, pavarësisht nga origjina e mallrave apo produkteve”, shton ai.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa kompani që importojnë mallra nga Kina, por shumë pak pranuan të flisnin publikisht.
Ramiz Kelmendi udhëheq kompaninë “Elkos Group”, e cila ofron një gamë të gjerë produktesh – nga ushqimet deri te tekstili.
Ai thotë se kjo kompani importon mallra nga Kina në vlerë mbi 12 milionë euro në vit. Megjithatë, sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten burimet kryesore të importeve.
“Po, çmimi është më i lirë”, thotë Kelmendi, duke shtuar se mungesa e industrisë vendore në sektorë si tekstili dhe elektroteknika, e detyron Kosovën të importojë aty ku produktet janë më të përballueshme.
Vetëm vitin e kaluar, Kosova importoi nga Kina mbi 14.4 milionë euro pajisje elektronike, si: kamera digjitale, televizorë dhe antena, si dhe mbi 13 milionë euro telefona të mençur dhe aparate të tjera telefonike.
Ushqimi nga Kina – shqetësim ekonomik dhe shëndetësor
Megjithatë, ajo që e shqetëson më së shumti profesorin Qorraj është fakti se të dhënat doganore tregojnë se nga Kina po importohen edhe produkte ushqimore dhe bujqësore.
“Është veçanërisht problematike kur bëhet fjalë për produktet bujqësore, sepse ato lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e shëndetit publik”, thotë ai.
Nga ana ekonomike, Qorraj thekson se importet e tilla dëmtojnë konkurrencën lokale dhe dekurajojnë prodhuesit vendorë, mallrat e të cilëve shpesh janë më të shtrenjta, për shkak të kostove më të larta të prodhimit.
Kelmendi e sheh këtë situatë si mungesë të një politike të qartë ekonomike.
“Kosova nuk prodhon banane apo ananas, por hudhër po. Qeveria duhet ta stimulojë prodhimin vendor që çmimet të jenë konkurruese”, thotë ai, duke shtuar se importet nga Kina janë jo vetëm të panevojshme, por edhe joefikase, pasi një dërgesë mund të zgjasë deri në 120 ditë.
Qorraj, gjithashtu, sugjeron masa stimuluese dhe mbrojtëse për prodhuesit vendas, si dhe orientim më të madh drejt tregut të Bashkimit Evropian dhe tregjeve ku Kosova ka qasje preferenciale./REL/
