Është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për zhvillimin dhe zbatimin e projektit për restaurimin e ndërtesës së Institutit Albanologjik të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
I pranishëm në nënshkrimin e memorandumit ishte edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Kurti, tha se ndërhyrjet në këtë institut kanë qenë të domosdoshme, duke shtuar se me bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive tona po vendoset baza për trajtimin e plotë të ndërtesës së Institutit Albanologjik si objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore.
“Instituti Albanologjik i Prishtinës është një institucion me rëndësi të veçantë për dijen, kulturën dhe kujdesën tonë kombëtare. Këtu, tashmë janë duke u zhvilluar punimet emergjente për renovimin e kulmit dhe të ulluqeve të brendshme. Këto ndërhyrje kanë qenë të domosdoshme për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet dhe për ta ndalur degradimin e kësaj ndërtese. Investimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për këtë fazë është mbi 144 mijë euro e nga ndërhyrja emergjente po kalojmë tek restaurimi i plotë. Me bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive tona po vendoset baza për trajtimin e plotë të ndërtesës së Institutit Albanologjik si objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.
Kurti, ka treguar edhe se çka parasheh ky memorandum.
“Memorandumi parasheh zhvillimin dhe zbatimin e projektit për restaurimin e plotë të tij. Përtej, aspektit fizik të ndërtesës ky restaurim do të trajtojë edhe funksionalizimin e qëndrueshëm edhe ekspozitën e përhershme etnografike dhe në veçanti muzealizimin e zyrës së akademik profesor tashmë të ndjerë Rexhep Qosja. Synimi ynë është i qartë, ta mbrojmë e ta restaurojmë me standardet më të mira dhe ta bëjmë sa më funksional si një institucion bashkëkohor për studiuesit, studentët dhe gjeneratat që vijnë meqenëse zhvillimi i gjuhës shqipe i ka shumë borxh pikërisht Institutit Albanologjik të Prishtinës”, ka thënë ndër të tjera Kurti./EO