Shkruan: Leonor Berisha
Shkrimi i dedikohet 1 Qershorit “Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve” për një dukuri mjaftë shqetësuese të fëmijëve në vendin tonë, siç është ndëshkimi trupor i fëmijëve.
Ndëshkimi trupor i fëmijëve paraqet një formë e dhunës, të përcaktuar me dënim, në të cilën është përdorur forca fizike për qëllim të shkaktimit të dhimbjes ose shqetësimit ndaj një fëmije, ndëshkimi trupor është tejet i rrezikshëm dhe ka treguar se mund të ketë pasoja jashtëzakonisht negative, nga të cilat më e rënda është vdekja.
Fëmijët mund t’i nënshtrohen ndëshkimit trupor në mjedise të ndryshme, duke përfshirë shtëpitë, shkollat, komunitetet, vendet e punës dhe institucionet e banimit.
Disa prej rasteve të ndëshkimit trupor të përjetuara nga fëmijët mund të jenë të papritura, por në shumicën e rasteve fëmijët e përjetojnë ndëshkimin trupor nga njerëzit që i njohin dhe iu besojnë, siç janë; prindërit, të afërmit, mësuesit, shokët e shkollës, kujdestarët ligjorë, etj.
Eefekte dhe Pasojat e ndëshkimit trupor të fëmijëve:
Ndëshkimi trupor mund të prek të gjitha kategoritë e fëmijëve pa marrë parasysh personalitetin e tyre, prejardhjen, etnitetin, arsimimin, gjininë apo moshën. Disa kategori të fëmijëve janë posaçërisht më të rrezikuara nga ndëshkimi trupor, siç janë fëmijët që jetojnë dhe punojnë në rrugë, fëmijët nga minoritetet etnike apo fëmijët me nevoja të veçanta.
Efektet dhe pasojat e ndëshkimit trupor të fëmijëve mund të përfshijnë rreziqe si; sëmundje ose lëndime fizike, shtatzëni të padëshirueshme, diskriminim në shoqëri, vështirësi të suksesit në shkollë, vetëvrasje, etj.
Pasoja mund të jenë me efekte fizike, emocionale dhe psikologjik, dhe përgjegjësia për të parandaluar ndëshkimin trupor ndaj fëmijëve shtrihet në të gjitha shërbimet, institucionet dhe profesionistët që punojnë për dhe me fëmijët, prindërit dhe familjet, mediat, sektori privat, komunitetet fetare dhe shoqëria civile.
Prandaj, të gjithë fëmijët pa dallim gjinie, race, ngjyre, gjuhe, besimi fetar, mendimi politik ose tjetër, origjinë kombëtare apo sociale, lidhje me një pakicë kombëtare, pasurie, lindjeje, orientimi seksual, gjendjeje shëndetësore, invaliditeti apo statusi tjetër, duhet të mbrohen kundrejt të gjitha formave të dhunës dhe t’u sigurohet kujdes dhe ndihmë e tillë, për të garantuar shkallën maksimale të mundshme për mbijetesën dhe zhvillimin e tyre.
Shteti duhet të mbështesë familjet në rolin e tyre të rritjes së fëmijës, duke siguruar një rrjet të arritshëm, fleksibël, dhe cilësor shërbimesh për kujdesin e fëmijës.
Qeveria duhet të bëjë më shumë, në ndalimin e ndëshkimit trupor, fillimisht duke e miratuar ligjin për mbrojtjen e fëmijëve ku edhe mes tjerash e ndalon ndëshkimin trupor në të gjitha ambientet si dhe të ndërmerr hapa konrekt në;
-përfshirjen e të drejtave të fëmijës në programet shkollore dhe promovimin e një qasjeje për të drejtat e fëmijës në të gjitha nivelet e arsimit;
-trajnime të rregullta dhe të vazhdueshme për të drejtat e fëmijës për të gjithë ata që punojnë me dhe për fëmijët;
rritjen e ndërgjegjësimit, me anë të mjeteve të informimit publik dhe fushatave mediatike, për të drejtat e fëmijës, duke përfshirë të drejtën për t’u mbrojtur nga të gjitha format e dhunës, të drejtën e respektimit të dinjitetit njerëzor dhe integritetit fizik dhe të drejtën për t’u dëgjuar dhe marrë seriozisht mendimi.
Të gjitha institucionet, shërbimet dhe mjediset përgjegjëse për kujdesin, arsimin dhe mbrojtjen e fëmijëve duhet të japin udhëzime mbi zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve për mirëqënien e fëmijës.
Qëllimet e këtyre udhëzimeve duhet të jenë për të:
– mbrojtur të drejtat e fëmijëve, në veçanti ata që janë viktima të dhunës, ndëshkimit trupor;
– parandaluar dhe luftuar të gjitha format e ndëshkimit ndaj fëmijëve;
– nxitur adoptimin, implementimin dhe monitorimin e strategjive të integruara kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna e ndëshkimit trupor;
– përforcuar bashkëpunimin ndërkombëtar për të mbrojtur të drejtat e fëmijës dhe për të mbrojtur fëmijët nga dhuna e ndëshkimit;
– mbrojtur dhe ndihmuar fëmijët që janë viktima si dhe dëshmitarë;
– hetuar apo ndjekur penalisht rastet e veprave penale ku përfshihet dhuna kundër fëmijëve, ndëshkimit trupor.
– vendosur një moshë minimale për pëlqimin seksual.
Fëmijët kanë të drejtë të shprehen lirisht për të gjitha çështjet që ndikojnë në jetën e tyre, dhe, pikëpamjeve të tyre duhet tu kushtohet vëmendja e duhur në varësi të moshës dhe pjekurisë së fëmijës.
Duhet të inkurajohet dhe mbështetet fuqimisht krijimi i mediave nga fëmijët dhe me fëmijët, për qëllime që përfshijnë eliminimin e keqtrajnimit dhe ndëshkimit trupor, zhvillimi i programeve të ndërhyrjes dhe masave për të vlerësuar dhe parandaluar rrezikun e kryerjes së dhunës ndaj fëmijëve.
Rekomandohet, vetëdijesimi i popullatës së gjerë dhe institucioneve që merren me mbrojtjen e fëmijëve!
Miratimin dhe integrimin e ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, detyrimin për të respektuar të drejtën për t’u dëgjuar dhe për t’u atribuar rëndësinë e duhur pikëpamjeve të fëmijëve.
Shoqëria civile duhet të bëhet pjesë përbërëse e kuadrit institucional, dhe aktorë të tjerë, si institucionet për të drejtat e njeriut, rrjetet profesionale, fëmijët dhe organizatat për fëmijët, duhet të ftohen për të kontribuar në hartimin, implementimin, vlerësimin dhe vijueshmërinë e strategjisë.
Sjellja dhe qasja ndaj fëmijës ka shumë rëndësi në ndikimin, zhvillimin dhe edukimin e shëndoshë të fëmijës, andaj duhet të krijojmë qasje pozitive, t’ u ofrojme kujdesin dhe vëmendjen e duhur.
Shkruan: Leonor BERISHA
Aktivist i Shoqërisë Civile