Ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare mësimdhënësi shumëvjeçar i SHFMU “Zenun Çoçaj” në Gjonaj të Hasit, Ismet Reka, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në fushën e arsimit dhe edukimit të shumë brezave.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë i ditur nga Drejtoria e SHFMU “Zenun Çoçaj” përmes një njoftimi mortor, në të cilin është vlerësuar lart kontributi i tij shumëvjeçar në arsim.
“I ndjeri Ismet Reka ka qenë pjesë e pandashme e shkollës sonë që nga shtatori i vitit 1987. Për afro katër dekada ai ia kushtoi jetën arsimit dhe edukimit të brezave të shumtë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historikun e shkollës ‘Zenun Çoçaj’”, thuhet në njoftimin e shkollës.
Sipas drejtorisë, Reka ishte një ndër mësimdhënësit që me përkushtim dhe sakrificë punoi edhe në periudha të vështira, duke e konsideruar arsimin mision jetësor.
Përkushtimi, profesionalizmi dhe përvoja e tij do të mbeten të paharruara për kolegët, nxënësit dhe gjithë komunitetin arsimor.
Përveç angazhimit në arsim, Ismet Hasan Reka njihej edhe si veprimtar i çështjes kombëtare dhe arsimore në rajonin e Prizrenit. Gjatë viteve ’90 ai ishte pjesë e sistemit paralel të arsimit shqip, duke kontribuar në mbajtjen gjallë të procesit mësimor në rrethana të vështira dhe nën presionin e regjimit serb.
Ai po ashtu ishte i angazhuar në veprimtari qytetare dhe kombëtare, duke mbështetur përpjekjet për liri, pavarësi dhe të drejta të barabarta për shqiptarët.
Pas përfundimit të luftës, Reka vazhdoi misionin e tij në arsim, duke kontribuar në rindërtimin dhe zhvillimin e sistemit arsimor në Kosovë. Ai mbeti një figurë e respektuar në Prizren dhe Has, i njohur për urtësinë, integritetin dhe përkushtimin ndaj edukimit të brezave të rinj.
Në këto momente të vështira, Drejtoria e SHFMU “Zenun Çoçaj” u ka shprehur ngushëllime familjes Reka, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan punën e tij.
Ismet Reka do të kujtohet si një arsimtar i përkushtuar dhe një veprimtar që i shërbeu me devotshmëri arsimit dhe çështjes kombëtare.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër më 25 qershor 2026, në varrezat e qytetit të Prizrenit në ora 13:00.
