Ka ndërruar jetë ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina.
Brovina ishte mjeke pediatre, poete, veprimtare humanitare dhe politikane. Ajo shërbeu për disa mandate si deputete e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës.
Përveç angazhimit politik dhe humanitar, Flora Brovina njihej edhe për krijimtarinë e saj letrare, veçanërisht në poezi.
Lidhur me lajmin për ndarjen e saj nga jeta ka reaguar edhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
Ai e ka cilësuar Brovinën si një grua të fortë, zërin e të shtypurve në kohët më të vështira dhe një shëruese të palodhur të fëmijëve si pediatre.
“Lajmi për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës na ka prekur. Ajo ishte një grua e fortë, zëri i të shtypurve në kohët më të vështira dhe një shëruese e palodhur e fëmijëve tanë si pediatre. Vepra, poezitë dhe shpirti i saj human do të jetojnë gjatë mes nesh, duke shërbyer si frymëzim për brezat që vijnë. Të gjithë atyre që u mungon, u shprehim ngushëllimet tona më të thella në këto momente pikëllimi. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!”, ka shkruar Totaj në Facebook.
E lindur më 30 shtator 1949, Brovina përfundoi Fakultetin e Mjekësisë dhe u specializua në pediatri. Para angazhimit si mjeke, ajo kishte punuar edhe si gazetare për çështjet shëndetësore në gazetën “Rilindja”.
Brovina ishte pjesë e Kuvendit të Kosovës që nga legjislatura e parë, e dalë nga zgjedhjet e vitit 2001. Ajo vazhdoi të ishte deputete edhe në pesë legjislaturat pasuese.
Në korrik të vitit 2014, si deputetja më e vjetër, Brovina kishte kryesuar seancën konstituive të Kuvendit.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta, ajo ishte aktive në veprimtarinë humanitare dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve. Kishte themeluar Lidhjen e Grave Shqiptare dhe ishte angazhuar në organizimin e protestave paqësore.
Gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, Brovina ishte arrestuar nga forcat serbe dhe ishte dërguar në burg në Serbi. Ajo ishte dënuar nga autoritetet serbe, ndërsa rasti i saj kishte nxitur reagime ndërkombëtare. Më vonë ishte liruar dhe ishte kthyer në Kosovë.