Efektivët e njësive të këmbësorisë së FSK-së dhe homologët e tyre nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë bërë bashkë për një trajnim njëmujor.
Kjo është bërë e ditur nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ku, mes tjerash, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë dyfishuar bashkëpunimin ndërushtarak.
“Efektivët tanë të njësive të këmbësorisë së bashku me vëllezërit e motrat e njësive homologe të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, shkëmbyen eksperiencat e tyre, gjatë trajnimit të përbashkët një mujor. Në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kemi arritur që të dyfishojmë bashkëpunimin ndërushtarak, që ndër të tjera ka rezultuar me ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të para të komponentës luftarake dhe mbështetjes luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë ministri, transmeton Klankosova.tv.





