Vaksina e Modernas kundër COVID-19 është e sigurt dhe duket se është efektive tek adoleshentët, tha kompania dje (e martë).
Në një provë të Fazës 2/3 të 3,732 fëmijëve të moshave 12 deri 17 në Shtetet e Bashkuara, testet e gjakut treguan se vaksina prodhoi një përgjigje imune që ishte ekuivalente me gjetjet e mëparshme te të rriturit.
Prova nuk ishte krijuar për të parë në mënyrë specifike efikasitetin. Sidoqoftë, vëzhgimet fillestare zbuluan se asnjë nga fëmijët që morën vaksinën nuk u infektua me coronavirus duke filluar 14 ditë pas dozës së tyre të dytë. Katër nga fëmijët që morën ‘placebo’ u testuan pozitivisht për coronavirus, për të cilin Moderna thotë se është “në përputhje me një efikasitet të vaksinës prej 100 për qind”. Kompania vëren se kjo shifër mund të ndryshojë ndërsa më shumë të dhëna mblidhen, shkruan CNN.





