Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes rrjeteve sociale ka bërë të ditur se mbrëmja e koncertit të mbajtur në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli ka qenë një moment krenarie për Kosovën.
Ai ka theksuar se Filharmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës u paraqitën me një koncert të veçantë, realizuar në bashkëpunim me Fondacionin Bartolucci si pjesë e aktiviteteve të Jubileut në Vatikan. Sipas ministrit, interpretimi i oratoriumit “La Tempesta sul Lago” nga Domenico Bartolucci, nën drejtimin e dirigjentit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe me pjesëmarrjen e solistëve Besa Llugiqi, Ivana Hoxha, Carlos Cardoso dhe Biagio Pizzuti, solli emocione të forta dhe një performancë mbresëlënëse.
Çeku ka përgëzuar drejtuesit e institucioneve, instrumentistët dhe koristët për punën e tyre, duke e cilësuar këtë paraqitje si një dëshmi të fuqisë së artit dhe përfaqësimit të denjë të Kosovës në skenat botërore.
