Më 17 shkurt do të mbahet marshi “Drejtësi, jo politikë” organizuar nga platforma “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lidhur me këtë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës, Kulturës (SBASHK) u ka bërë thirrje anëtarësisë së tyre që të marrin pjesë në këtë marsh, për të dhënë sipas tyre, një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.
Sipas SBASHK-ut, ky marsh është jo politik dhe përfaqëson një thirrje të ndershme për drejtësi të paanshme, si dhe për respektimin e sakrificës së çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se pesë vitesh po mbahen padrejtësisht në paraburgim. Për SBASHK-un, kjo çështje konsiderohet me peshë të veçantë sindikale dhe historike.
“Shumë nga çlirimtarët ishin edhe arsimtarë e punëtorë arsimi, të larguar dhunshëm nga vendet e punës gjatë regjimit të Millosheviqit. Në vitet e okupimit, ishin mësimdhënësit ata që mbajtën gjallë arsimin shqip, dinjitetin kombëtar dhe shpresën për liri. Falë sakrificës së tyre, falë luftës së drejtë të UÇK-së dhe përkrahjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë, sot jetojmë në një shtet të lirë dhe sovran. Sot, kur ata që sakrifikuan për lirinë po përballen me padrejtësi të zgjatura, heshtja nuk është opsion. Dalja në këtë marsh nuk është akt politik, por akt moral dhe qytetar. Është shprehje e ndërgjegjes sonë kolektive dhe vazhdimësi e misionit sindikal për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe të së vërtetës. SBASHK-u qëndron qartë në anën e drejtësisë, të dinjitetit dhe të solidaritetit shoqëror. I ftojmë të gjithë anëtarët e SBASHK-ut që, në mënyrë vullnetare, pa asnjë detyrim dhe larg çdo angazhimi politik, t’i bashkohen Marshit “Drejtësi, jo politikë!”, për të dhënë një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme. Pjesëmarrja juaj është: zë për drejtësinë, respekt për sakrificën, dhe përgjegjësi ndaj historisë sonë” – shkruan SBASHK-u.
Ndërkaq, platforma “Liria ka Emër” ka falënderuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK) për thirrjen publike dhe mbështetjen e qartë në përkrahje të marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
Sipas tyre, qëndrimi i SBASHK-ut përfaqëson një zë të fuqishëm moral, qytetar dhe sindikal në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe respektimit të sakrificës së çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me një proces të zgjatur dhe të padrejtë në Hagë.
“Në mënyrë të veçantë, vlerësojmë theksimin që SBASHK-u i bën rolit historik të mësimdhënësve dhe punëtorëve të arsimit, të cilët, përveçse bartës të dijes dhe dijes kombëtare, ishin edhe pjesë aktive e rezistencës, sakrificës dhe luftës për liri. Ky dimension e bën edhe më domethënëse mbështetjen sindikale për këtë kauzë qytetare. Thirrja e SBASHK-ut dëshmon se marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ nuk është akt politik, por akt ndërgjegjeje, solidariteti dhe përgjegjësie historike, në përputhje me vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës. Platforma ‘Liria ka Emër’ falënderon Kryesinë dhe anëtarësinë e SBASHK-ut për këtë qëndrim dinjitoz dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha organizatat, sindikatat dhe qytetarët, me qëllim të mobilizimit sa më të gjerë për Marshin e 17 shkurtit, nën moton ‘Drejtësi, jo politikë’.” – thuhet në reagimin e kësaj platforme.